Kosova po bën emrin e saj në futboll

Saktësisht 615 ditë kanë kaluar që kur kombëtarja e Kosovës në futboll ka pësuar humbjen e fundit, në të gjitha garat.

Disfata e fundit e Kosovës në ndeshjet ndërkombëtare, daton më 9 tetor 2017, në Reikjavik, kur kosovarët ishin mposhtur nga Islanda me rezultat 2-0, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.

Që atëherë, Kosova ka 14 ndeshje pa humbje, prej tyre nëntë (9) fitore dhe pesë (5) barazime. Në këtë ecuri ndeshjesh, “Dardanët” – siç është nofka zyrtare e kombëtares së Kosovës – kanë shënuar 32 gola dhe kanë pësuar vetëm 10 sosh, duke mos shënuar gol vetëm në njërën nga këto ndeshje, në barazimin 0-0 me Azerbajxhanin, në Baku, në shtator të vitit të kaluar.

SHIKONI EDHE: A mund të jetësohet ëndrra evropiane e Kosovës në futboll?

Dymbëdhjetë ndeshjet e fundit – nga marsi i vitit 2018 – Kosova i ka zhvilluar nën drejtimin e trajnerit zviceran Bernard Challandes.

Prej katërmbëdhjetë ndeshjeve, pesë kanë qenë miqësore, gjashtë në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndërsa tri të fundit janë në kuadër garave kualifikuese për Kampionatin Evropian të futbollit – EURO 2020, ku Kosova garon në Grupin A, me Anglinë, Çekinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë.

Me fitoren dramatike më minutat e fundit, 2-3, ndaj Bullgarisë, në Sofje, Kosova mori vëmendjen e opinionin futbolldashës në Evropë.

“Kosova po i bën vetës emër”, ka qenë titulli një prej artikujve në gazetën prestigjioze “The Guardian", në Britaninë e Madhe, pas këtij triumfi të kosovarëve në Bullgari. Në shkrimin e tij, gazetari i këtij mediumi, Nick Ames, shkruan se “askush me mendje të shëndoshë nuk do e nënvlerësojë Kosovën”, duke vënë në pikëpyetje vendimin e Federatës Angleze të Futbollit që ndeshjen me Kosovën të mos e luaj në stadiumin Wembley, me kapacitet prej 90 mijë ulësesh, por në atë të Southamptonit, që ka vetëm 32 mijë ulëse.

“Disa u çuditën kur FA (Federata e Fubtollit) njoftoi që Anglia do ta mirëpresë Kosovën në St Mary’s (stadiumi i Southampton), e jo në Wembley, në shtator. A nuk ishte skuadra e ‘njomë’ e Bernard Challandes aq e denjë? Askush me mendje të shëndoshë nuk do t’i nënvlerësojë ata, në fushë: Fitorja e së hënës, 3-2 në Bulgari, me golin e Elbasan Rashanit në minutën e 92të, mes festës së çmendur, çoi në 14 ecurinë e ndeshjeve pa humbje” shkruan ai.

Sipas Ames, Kosova po luan futbollin më argëtues ndër kombëtare në Evropë, me gjasa reale për kualifikim në Evropianin 2020.

“Si minimum, Kosova duhet të luftojë me Republikën Çeke për vendin e dytë, në grupin A. Skuadra e Challandes janë duke dominuar në posedim dhe fituan në Sofje, përkundër mungesës së të lënduarit Arbër Zeneli, njëri prej dy anësorëve të tyre të klasit të lartë; tjetri, Milot Rashica erdhi me një gol dhe një asistim. Ndoshta, ata nuk mund ta mbushin Wembley-n ende, por është vështirë të mendohet për një kombëtare më argëtuese për tifozët në Evropë, për momentin”, thekson tutje Ames, në shkrimin e tij.
Njohësi i futbollit, Shpend Thaçi, i cili jeton në Itali, tha për Radion Evropa e Lirë, se kombëtarja e Kosovës, tashmë është shndërruar në rrëfim suksesi.

Në mesin e faktorëve kyç në këtë sukses, sipas Thaçit, është vendimi i ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës,të ndjerit Fadil Vokrri, për emërimin e zviceranit Challandes, në krye të kombëtares, që beson se ka qenë lëvizje e qëlluar dhe e nevojshme.

SHIKONI EDHE: Mungesa e pajisjeve dhe kuadrove e lë Kosovën pa Agjenci Anti-Doping

“Përzgjedhja e Challandes si trajner i kombëtares pa shumë zhurmë dhe puna e tij në heshtje, më vonë u vërtetua se ishte veprim i goditur nga i ndjeri Fadil Vokrri. Qasja e tij në raport me lojtarët, kundërshtarët, komunikimi me shtyp, gjakftohtësia me të cilën ia del të arrije t’i menaxhojë qoftë edhe kthesat në rezultat, janë “vitamina” të rëndësishme për opinion tonë sportiv, që dihet botërisht se është më euforik se sa duhet".

"Mënyra se si iu qas “finales” së “Ligës se Kombeve”, për grupin D, divizioni A, duke e shmangur presionin në konferencë për media dhe duke ua atribuuar azerëve, personalisht mendoj qe ishte një lëvizje e matur qe ndihmoi sigurimin e plasmanit në “play off”-in për në mars të 2020-ës në po të njëjtën ligë,” tha Thaçi

Rritja progresive në aspektin tekniko-organizativ, duke eliminuar “vakumet organizative dhe logjistike” dhe plotësuar stafin teknik me njerëz profesionistë të fushës, vlerëson Thaçi, janë faktorë përcaktues për arritjet e skuadrës.

Duke marrë shembull ngritjen e madhe të Milot Rashicës e Benjamin Kolollit, në klubet e tyre, Thaçi beson se kombëtarja po “korrë atë që lojtarët kanë mbjellë me klubet përkatëse”.

“Ky përmirësim i vazhdueshëm që kurorëzuan lojtarët (me klubet e tyre), po demonstrohet më së miri edhe në 14 paraqitjet e fundit (të kombëtares). Kemi pjekuri, përgatitje fizike më të mirë, kontigjent lojtarësh më të lart dhe dyfishim të konkurrencës për repart, gjë që s’e kishim më herët. Të gjitha këto faktorë kanë ndikuar që kombëtarja e Kosovës ta krijojë profilin e saj të lojës. Natyrisht se gërshetimi i të gjitha këtyre komponentëve bën që Kosovës t’i “dekorohet” imazhi ndërkombëtar sportiv dhe jo vetëm,” shtoi ai.

Edhe gazetari dhe komentaori i futbollit, Arlind Sadiku, beson se, me rezultatet e dy vjetëve të fundit, Kosova po krijon reputacionin e një kombëtareje të respektueshme në Evropë.

Sadiku, i cili e përcolli nga afër Kosovën në dy ndeshjet e fundit, në Podgoricë kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë në Sofje, tha se respekti që po i jepet Kosovës nga trajnerët dhe lojtarët kundërshtarë, dallon shumë me atë të para dy-tre vjetësh.

“Kosova ka marrë vëmendjen e gjithë Evropës me këto dy ndeshje, sidomos me fitoren ndaj Bullgarisë. Askush nuk e ka pritur që ta nisnim në këtë mënyrë, edhe pse me pak fat, mendoj se është dashur të kemi nëntë (9) pikë tani, sepse kemi bërë tri ndeshje shumë të mira, me Bullgarinë në Prishtinë por edhe Malin e Zi në Podgoricë. Mendoj se fati ka qenë në pyetje që nuk i kemi nëntë pikë, por edhe me kaq mund të jemi të kënaqur sepse kemi kundërshtarë mjaft të fortë në grup dhe ekipi nuk duhet të ‘rritet’ menjëherë në një far mënyrë, për të fituar atë ndjenjën e euforisë, sepse mund të jetë e rrezikshme”, tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Derisa vlerëson lartë punën dhe mentalitetin, që trajneri Challandes i ka dhënë skuadrës, gazetari Sadiku beson se dy ndeshjet me Çekinë, e cila aktualisht zë vendin e dytë në grup – para Kosovës, janë vendimtare për kualifikim ose jo, në Kampionatin Evropian.

“Ndeshjet vendimtare besoj se do të jenë pikërisht ato me Çekinë, në shtator do ta presim Çekinë në Prishtinë, nëse dëshirojmë të luftojmë për vendin e dytë, duhet të fitojmë me doemos aty, por edhe në nëntor pastaj, në Pragë. Sa i përket ndeshjeve me Anglinë, do të jetë tepër vështirë për të marrë një pikë qoftë në Prishtinë apo në Southampton, por megjithatë është me rëndësi që ekipi është shumë i motivuar dhe kur po ballafaqohet me cilindo kundërshtarë nuk kanë fare frikë".

"Dhe, jam i sigurt që pas kësaj forme të mirë, përkundër mungesave të shumta që kemi pasur, lojtarët në ndeshjen me Anglinë do të hyjnë pa pikë frike dhe sigurisht që do të mundohen që edhe në Southampton të kërkojnë pikë, pse jo”, shtoi Sadiku.

Edhe pse beson se kualifikimi në Evropian është i mundshëm, njohësi Shpend Thaçi mendon se rezultatet e rivalit direkt për vend të dytë, Republikës Çeke, me kundërshtarët tjerë brenda grupit, janë të rëndësishme në garën për kualifikim.

“Sa i përket rendimentit të fazës së tanishme të grupit dhe gjasave për te rivalizuar me Republikën Çeke, vlerësoj se nuk duhet të ngutemi ne hapa. Ne ende nuk e kemi përfunduar gjysmën e ciklit kualifikues, ku na mungojnë përballjet ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë për të krijuar një ide më të qartë se ku jemi dhe deri ku mund t’i vëmë linjat tona për të synuar diçka konkrete".

"Në situatën ne të cilën ndodhemi momentalisht, në letër mundësitë janë mëse reale, mirëpo duhet të ndihmohemi nga disa kombinatorika që s’varen domosdoshmërisht nga ne, por nga rezultatet e kombëtareve tjera ku ndeshen mes tyre. Ta zëmë, për Kosovën do ishte e rëndësisë së veçantë në qoftë se Mali i Zi do ta ndalte Republike Çeke në Podgoricë, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, shanset tona do minimizoheshin”, theksoi Thaçi.

*Video nga arkivi: Infrastruktura sportive e klubeve kosovare

Me pesë pikë pas tri ndeshjesh, momentalisht, Kosova zë vendin e tretë në Grupin A, në kampanjën kualifikuese për EURO 2020. Çekia zë vendin e dytë me gjashtë pikë, ndërsa Anglia është e para, po ashtu me gjashtë pikë, por një ndeshje më pak të zhvilluar.

Dy vendet e para brenda grupit sigurojnë pjesëmarrjen në Kampionat Evropian. Përderisa Anglia konsiderohet “superfavorit” për të fituar grupin, vendi i dytë – vlerësojnë njohësit – mbetet objektiv i arritshëm për Kosovën.

Në shtator, Kosova luan dy ndeshjet e radhës në këto kualifikuese, kundër Çekisë në Prishtinë dhe Anglisë në Southampton. Ndërsa, në tetor dhe nëntor edhe tri ndeshje të tjera: me Çekinë në Pragë, dhe me Malin e Zi e më pas Anglinë në Prishtinë.

Megjithatë, Kosova ka edhe një mundësi tjetër të kualifikimit në EURO 2020, atë përmes “play off”-it të Ligës së Kombeve, ku fillimisht, në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë e Veriut, e në rast fitoreje, pastaj me fituesin nga ndeshja tjetër Gjeorgji - Bjellorusi.