Kosova me dozë të katërt të vaksinës kundër COVID-19

Qytetarët në Prishtinë duke pritur për vaksinim kundër koronavirusit. Prill, 2021.

Në Kosovë personat mbi 60 vjeç do të mund të marrin dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë (MSH).

MSH-ja tha më 7 korrik se ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19. Sipas këtij vendimi, personat mbi 60 vjeç, që kanë marrë dozën e tretë të paktën katër muaj më parë, mund ta marrin edhe dozën e katërt.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, pa asnjë hezitim, për të parandaluar rritjen e rasteve të COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga kjo sëmundje”, thuhet në njoftim.

SHIKONI EDHE: Rritje mbi 400% e rasteve me koronavirus në Kosovë

Në Kosovë, me dozën e parë dhe të dytë mund të vaksinohen të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ndërkaq, me dozën e tretë të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Kosova së fundmi po regjistron rritje të rasteve me sëmundjen COVID-19.

Deri më tani janë administruar mbi 1.8 milion doza të vaksinës. Prej kësaj shifre, 103,344 persona kanë marrë tri doza, 823,818 janë imunizuar me dy doza, ndërkaq me një dozë janë imunizuar 903,523 persona.

Që prej marsit të vitit 2020, kur në shtet u regjistruan rastet e para e deri më 6 korrik 2022, Kosova ka regjistruar 230,054 raste me koronavirus dhe 3,140 vdekje.