Konfirmimi i variantit Omicron të koronavirusit shumë shpejt do të kryhet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), konfirmojnë nga ky institut.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, lidhur me këtë çështje, IKSHPK-ja tha se në Kosovë pritet që të arrijnë kitet e testeve PCR, të cilat mund ta detektojnë variantin Omicron të koronavirusit.
“Varianti Omicron i SARS-CoV-2 mund të detektohet me RT PCR test, që në mënyrë specifike e shënjon ndonjë nga mutacionet e S proteinës së SARS-CoV-2. RT PCR kitet e këtilla të porositura nga IKSHPK-ja priten të arrijnë në Aeroportin e Prishtinës më datën 23 dhjetor dhe varet nga procedurat e zhdoganimit se sa shpejt do te arrijnë në IKSHPK”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti.
SHIKONI EDHE: Omicroni dhe gripi stinor me ngjashmëri që hutojnëIKSHPK-ja aktualisht i disponon dhe i ka në përdorim teste PCR, të cilat detektojnë tri gjene të ndryshme (S, N dhe ORF) të koronavirusit. Siç sqarojnë nga IKSHPK-ja, deri më tash, “të gjitha mostrat që rezultojnë pozitive në IKSHPK kanë amplifikim të tri gjeneve, përfshirë edhe S gjenin.
Përmes këtyre testeve, aktualisht nuk mund të konfirmohet prania e Omicronit si variant i koronavirusit, por në rast se në testim rezulton se mungon lakorja e S gjenit, atëherë jepet indikacionin se mostra mund të jetë me variantin Omicron dhe kjo është informatë preliminare për praninë e këtij varianti.
Ndërkohë, IKSHPK-ja është duke dërguar mostra pozitive në Gjermani për konfirmimin e pranisë së variantit Omicron. Kosova është ende në pritje të këtyre rezultateve.
Omicron, variant që fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor, besohet se ka shumë mutacione dhe mund të përhapet shumë shpejt.
SHIKONI EDHE: Studimet sugjerojnë se Omicroni mund të jetë më i lehtë se DeltaMegjithatë, shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar saktë nëse ky variant shkakton sëmundje më të rëndë ose nëse shmang efikasitetin e vaksinave kundër koronavirusit.