Qeveria miraton marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor

Fotografi e realizuar gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar marrëveshjen e lëvizjes me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që pas hyrjes në fuqi, do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në mbledhjen e mbajtur më 8 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Atëbotë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Kurti tha se Qeveria do ta procedojë këtë legjislacion në Kuvend për ratifikim.

“Ratifikimi i shpejtë i tyre është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.

SHIKONI EDHE: Në pritje të heqjes së vizave që ndanë familje

Sipas Kurtit, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje për rajonin, “pas ratifikimit nga dy vendet përkatëse, qytetarët e Kosovës dhe të Bosnjë e Hercegovinës do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime”.

Kjo marrëveshje ende nuk është miratuar nga autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë.

Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.

*Video: Lidhjet familjare pa viza

Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës.