Rruga e padefinuar e Kosovës drejt BE-së

Ilustrim

Ngecjet e Kosovës në përmbushjen e kritereve evropiane dhe mosnjohja e saj nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, vlerësohet se e kanë komplikuar tutje rrugëtimin e saj edhe ashtu të gjatë e të vështirë të integrimit në BE.

Pas Serbisë dhe Malit të Zi, Bashkimi Evropian ka nisur negociatat e përafrimit edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ndërkaq, raportet e Kosovës me BE-në trajtohen ende përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përmes përparimeve në zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Raporti i fundit i Progresit, nga institucionet vendore është vlerësuar kryesisht përmes komunikatave me shkrim.

Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai i cili sërish i kërkoi BE-së që Kosova të trajtohet njësoj si edhe vendet tjera.

Të mërkurën, ai pranoi edhe zyrtarisht Raportin e progresit nga Përfaqësuesja e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova.

Thaçi tha me këtë ka shkruar në Facebook se i gëzohet faktit që Shqipëria dhe Maqedonia filluan procesin e negociatave për anëtarësim.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe integrimi i tërë Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane janë rruga e duhur për të rritur stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan”, ka shkruar Thaçi.

Zyrtarët e BE-së kanë zgjedhur për vizita vendet e rajonit të cilat tashmë i kanë nisur negociatat për anëtarësim. Kështu që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, takimin me Komisionarin e BE-së për Zgjerim Johannes Hahn e realizoi në Shkup.

Në këtë takim, sipas një postimi në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se ka kërkuar që Kosova të përfshihet në liberalizimin e vizave në afat optimal.

“Kosova ka shënuar përparime sidomos në sundimin e ligjit dhe Komisionerit Hahn i kërkova që Kosova të përfshihet në liberalizim të vizave në afat optimal”, ka shkruar Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, duke i lënë anash gjetjet që flasin për mungesën e reformave dhe përparimeve në fusha të ndryshme, e ka vlerësuar Raportin e fundit të Progresit si raportin më pozitiv që kishte ndonjëherë Kosova.

Paraqitjet e tilla të krerëve të institucioneve dhe Qeverisë së Kosovës në lidhje me vlerësimet e Komisionit Evropian rreth përparimeve që ka bërë Kosova, për analistin e çështjeve politike, Imer Mushkolajn nënkuptojnë përpjekje për fshehjen e gjetjeve faktike të publikuara në raportin e fundit.

“Nuk mjafton të thuhet se ky na qenka raporti më i mirë ndonjëherë për Kosovën, për shkak se fatkeqësisht raporti identifikon shumë të meta dhe shumë mangësi. Përndryshe, po të ishte gjithçka mirë ose po të ishte në masë të madhe mirë, natyrisht që Kosova, kushtimisht thënë, nuk do të mbetej jashtë rrugës evropiane”, thekson Mushkolaj.

Zyrtarët e lartë të BE-së ua bën të qartë të martën qeverive të vendeve të Ballkanit se anëtarësimi në BE nuk është një proces që realizohet përmes dëshirës, por përmes meritave.

Analisti Mushkolaj thotë se përtej deklaratave politike, institucionet duhet që t’i trajtojnë gjetjet me urgjencë, në mënyrë që Kosova të mos mbetet gjithmonë e fundit në këto procese, siç ndodhi edhe me liberalizimin e vizave.

“Në fakt gjendja është shumë kritike dhe shumë e keqe, nëse flasim me terma të tillë, për shkak se nuk ke si t’i thuash ndryshe një situate kur mungesa e përparimeve ose ngecjet janë evidentuar në secilën fushë të mundshme”.

“Ky duhet të jetë alarm për institucionet e Kosovës në mënyrë që t’i lënë anash ato arsyetimet për opinionin publik se nuk është gjendja ashtu siç prezantohet – gjendja është e keqe dhe kjo dëshmohet me të gjeturat në raport”, thotë Mushkolaj.

Me strategjinë e re për Ballkanin, BE-ja synon që ta ketë brenda vetës këtë rajon, duke bërë çmos që vendet e Ballkanit të mos rrëshqasin drejt ndikimeve ruse apo turke.

Por, sidoqoftë Brukseli e ka bërë të qartë po ashtu se integrimi nënkupton reformat e brendshme si dhe zgjidhjen e problemeve me fqinjët, para se të llogaritet në anëtarësimin e plotë në BE.