Bashkimi Evropian është i mendimit se në rastin e formimit të Trupit Gjykues në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, i cili ka konfirmuar dënimin e Ivan Todosijeviqit për shkak të deklaratave të tij rreth masakrës së Reçakut, nuk është respektuar marrëveshja e Brukselit.
Kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pasi rreth kësaj çështje kishte reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“BE merr në dijeni vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës në rastin e Ivan Todosijeviqit. Sa i takon modaliteteve të procesit ndaj Todosijeviqit në rastin e apelit, rikujtojmë se marrëveshja e vitit 2013 e arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e vlefshme. Kjo marrëveshje parasheh mes tjerash që, Gjykata e Apelit në Prishtinë cakton një panel me shumicë gjykatës serbë të Kosovës për tu marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe. Në ketë rast, kjo nuk është respektuar”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Todosijeviq u dënua sepse tha të vërtetën për ReçakunPor, në pyetjen se, a ka qenë ky rast i lidhur me komunat me shumicë serbe apo ndaj një individi që është edhe politikan, Stano ka thënë se “kjo duhet tu adresohet autoriteteve të Kosovës e jo neve, sepse ata e dinë se me çfarë ka lidhje rasti”.
Në pyetjen se në çfarë cilësie BE-ja i komenton rastet e tilla nga Gjykatat e Kosovës, Stano vetëm i është referuar deklaratës që rikujton pjesë të Marrëveshjes së Brukselit.
Gjykata e Apelit në Kosovë e konfirmoi të martën aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Todosijeviq, është dënuar me dy vjet burgim, nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Në mars të vitit 2019, Todosijeviq ka deklaruar se arsye për sulmet e NATO-s në ish-Jugosllavi ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Pas vendimit të Gjykatës Themelore, mbrojtja e të pandehurit ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, duke thënë në ankesë se “mbrojtja konsideron se veprimi me të cilin ngarkohet i akuzuari nuk është vepër penale dhe për këtë aktakuza duhet të hedhet"
SHIKONI EDHE: Gjykata e Apelit konfirmon dënimin ndaj deputetit TodosijeviqNë pyetjen se a po bën kështu BE-ja “profilizimin etnik të gjykatësve”, ku përbërja e trupit gjykues bëhet sipas përkatësisë etnike në bazë të përkatësisë etnike të të akuzuarit, zëdhënësi i BE-së është përgjigjur:
“Jo, nuk ka të bëj kjo me profilizimin etnik, por me respektimin e marrëveshjeve të arritura nga të dyja palët”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kritikuar këtë vendim të Gjykatës në Prishtinë dhe duke kërkuar reagim nga BE-ja, kishte thënë mes tjerash se “Todosijeviq është dënuar pse e ka thënë të vërtetën”.
Të pyetur se a kanë koment rreth kësaj deklarate të presidentit të Serbisë i cili përseri mohon krimet në Reçak, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “nuk i komentojmë deklaratat e supozuara të politikanëve apo interpretimet në media” por ka shtuar se “fuqishëm nënvizojnë se, çdo mohim apo revizionizëm të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë konfiktit në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990-ta janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe vë në dyshim pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale“U bëjmë ftesë të gjithëve që të tregojnë përmbajtje për shkak të respektit ndaj viktimave dhe të punojnë në mënyrë që të ketë vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës. Rajoni ka nevoj për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve”, ka thënë Stano.
Në anën tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konsideron se Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka vepruar drejt në rastin Todosijeviq pasi aktgjykimin ndaj tij e ka marrë një kolegj i rregullt dhe jo me përzierje etnike.
Sipas IKD-së, Marrëveshja e Brukselit, Rregullorja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe praktika gjyqësore dëshmojnë se Divizoni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë nuk ka pasur kompetencë në rastin konkret.
IKD thotë se ne Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve është përcaktuar themelimi i një divizioni të Gjykatës së Apelit, e cili do të trajtojë të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe.
“Në këtë rast, e rëndësishme është të theksohet fakti se kjo Marrëveshje nuk i referohet nacionalitetit (serb), por i referohet komunave si entitet, përkatësisht komunave me shumicë serbe. Ndaj nuk mund të vlejë argumenti se individët e nacionalitetit serb duhet të gjykohen vetëm nga divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, pasi që Marrëveshja i referohet rasteve brenda juridiksionit të atyre komunave, e jo çdo individi të nacionalitetit serb që vjen nga ato komuna”, thuhet në reagimin e tyre.
Politikanët nga Serbia vazhdimisht kanë mohuar masakrën e Reçakut, madje duke thënë se kjo ngjarje ishte ”e trilluar”.
Një gjë të tillë në disa raste e ka thënë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në vitin 2019, duke u përgjigjur në pyetjen rreth një deklarate të tillë të presidentit të Serbisë, nga Komisioni Evropian ishin përgjigjur se “një gjë është e qartë, nuk ka vend për mohimin apo relativizimin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak në Kosovë në janar të vitit 1999”.
Komisioni Evropian edhe në raportet interne ka nënvizuar se në Serbi ka raste të relativizimit të krimeve, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vënie në dyshim të vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish- Jugosllavi.
Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.
Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar "krim kundër njerëzimit" nga ish - shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.