Fushata e vonshme e korrje-shirjes së grurit
Pranvera e ftohtë ka ulur pritjet për rendimente të bollshme të grurit nga korrje-shirjet e sivjetme në Kosovë.
Sivjet fushata e korrje-shirjeve ka filluar kah mesi i muajit korrik, ndryshe nga vitet e mëhershme kur niste që në fillim të muajit.
Pos rendimenteve të ulëta, gruri i korrur sivjet nuk e ka as cilësinë e duhur për prodhimin e miellit, thonë nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës.
Autokombajnat duke korrur në një arë të mbjellë me grurë.
Një pamje nga lart e autokombajnave gjatë procesit të korrje-shirjes së grurit.
Kushtet klimatike gjatë këtij viti nuk kanë qenë të përshtatshme për zhvillmin e kulturave bujqësore, ndërsa disa rajone të Kosovës janë përballur edhe me vërshime, të cilat kanë dëmtuar ose edhe shkatërruar kulturat bujqësore.
Sipas fermerëve, rendimenti i grurit të korrur sivjet është shumë më i ulët sesa më parë.
Sipas fermerëve, sivjet ka pasur shumë reshje shiu, mjegull e brymë mëngjesi, që kanë ndikuar që kokrra e grurit të mos fryhet aq sa duhet.
Në rendiment të ulët të grurit fermerët thonë se mund të ketë ndikuar edhe mostrajtimi i duhur i kësaj kulture bujqësore.
Një autokombajnë duke korrur grurë në një arë në komunën e Podujevës.
Ndër faktorët që i kanë bërë dëm bimës së grurit përmenden edhe sëmundjet e ndryshme që kanë marrë hov në kushte lagështie.
Një tjetër pamje gjatë procesit të korrje-shirjeve në fshatin Herticë, komuna e Podujevës.
Gruri, si lëndë e parë për prodhimin e miellit, konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2021, konsumi mesatar i grurit në kosovë është mbi 410.000 tonë. Por, prodhimi vendor ndër vite ka qenë rreth 300.000 tonë grurë. Kjo ka bërë që Kosova t’i përmbushë nevojat me këtë produkt përmes importit.
Këtë vit në Kosovë kanë qenë të mbjellë me grurë rreth 67.000 hektarë tokë.