Kryeministri maqedonas dhe tre ministra vetizolohen

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe i Arsimit, Arbër Ademi i janë nënshtruar vetizolimit shtëpiak, pas kontaktit që kanë pasur me kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski që ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

“Për momentin, në Qendrën lokale për Shëndet Publik në Kumanovë po bëhen vlerësimet epidemiologjike dhe kontaktet e kryetarit Dimitrievski. Gjatë ditës, do të përcaktohet se sa dhe cilët persona do të duhet të qëndrojnë në izolim 14-ditor… Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte e përgatitur për të gjitha skenarët, përfshirë një situatë të tillë. Puna e qeverisë vazhdon të zhvillohet pa probleme përmes mjeteve digjitale për komunikim. Edhe në kushte izolimi, vazhdon komunikimi i rregullt dhe koordinimi i të gjitha proceseve në vend dhe menaxhimi i krizës së koronavirusit”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.

Njoftimin se është infektuar me koronavirus e kishte bërë vet kryetari i Kumanovës, Dimitrievski i cili një ditë më parë priti në takim një delegacion të qeverisë ku është diskutuar për gjendjen në Kumanovë dhe kërkesën e kryetarit të komunës për vendosjen e qytetit në karantinë shtetërore, për shkak të numrit të madh të të infektuarve.

Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Foto nga arkivi.


“Ju lutem që të jemi të përmbajtur, nuk ka vend për panik, kërkoj nga ju disiplinë, respektim të masave dhe rekomandimeve për distancë sociale. Ju lutem nga shpirti dhe zemra, ju lutem respektoni masat, shmangni kontaktet e afërta, shëndeti është mbi të gjitha, kështu do të fitojmë të gjithë”, ka shkruar Dimitrievski.

Pas Shkupit, Kumanova është qyteti me numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus, me 276 të prekur.

Qeveria vlerëson se ky qytet për momentin nuk mund të futet në karantinë shtetërore për shkak të specifikave me të infektuarit, duke thënë se situata është nën kontroll sepse të gjitha rastet e reja janë si rezultatet i kontakteve me personat e infektuar më parë.

Shënohet bilanci më i rëndë i të infektuarve

Në Maqedoninë e Veriut gjatë ditës së enjte janë konfirmuar 107 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

Ky është bilanci më rëndë që nga shpërthimi i pandemisë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 1,081, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Në Maqedoninë e Veriut janë kryer 10,422 testime.

Gjendje e jashtëzakonshme deri më 17 maj

Për gjendjen e krijuar nga koronavirusi është diskutuar edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nën drejtimin e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski ku është vendosur për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 30 ditë apo deri më 17 maj.

Në mbledhje nuk kanë marrë pjesë kryeministri dhe anëtarët e tjerë të këshillit që ishin në kontakt me kryetarin e Kumanovës.

Sa i përket gjendjes në Kumanovë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka thënë se qëndrimi i tij është që edhe ky qytet të futet në karantinë shtetërore, sikur edhe qyteti i Dibrës, që me sukses ka përballuar gjendjen me pandeminë.

Presidenti ka kërkuar që pas festave të Pashkëve, qeveria të mendojë për lehtësimin e masave të lëvizjes së qytetarëve, por edhe të vënies në funksion të kapaciteteve ekonomike.