Arrin në 34 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoni të Veriut

Ushtarët maqedonas ndihmojnë në ngritjen e një spitali mobil në Shkup. Mars, 2020.

Dy të vdekur dhe 49 të infektuar është bilanci nga koronavirusi në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka bërë të ditur se viktimat janë nga Kumanova dhe Prilepi, me çka numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 34.

Sipas raportit të publikuar, janë regjistruar edhe 49 raste të reja të të infektuarve me koronavirus duke e çuar numrin e të prekurve në 760. Numër më i madh është regjistruar në Kumanovë 14 dhe pastaj në Shkup 13.

Gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 586 teste, ndërsa numri i përgjithshëm i kontrolleve ka arritur në mbi 7,600.

“Është me rëndë të respektohet të gjitha masat pasi ne jemi afër qëllimit që të parandalojmë përhapjen e virusit dhe të ruajmë shëndetin e popullatës. Apeloj te të gjithë qytetarët që jenë të ndërgjegjshëm të respektojnë masat pasi kështu ne ndihmojmë sistemin shëndetësor në vend, që me sukses të përballet me pandeminë”, ka deklaruar ministri Filipçe.

SHIKONI EDHE: Dhjetë për qind e të infektuarve në Maqedoninë e V. janë punonjës shëndetësorë

Në Maqedoninë e Veriut nga e premtja në orën 16:00 ka nisur ndalimi i tërësishëm i lëvizjes që do të zgjasë deri në orën 05:00 të ditë së hënë.

Institucionet kanë bërë të ditur se masat e tilla do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, përfshirë edhe në festën e Pashkëve Ortodokse. Me këtë rast, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski uroi të gjithë besimtarët e krishterë duke kërkuar që festa të kalojë në ambiente shtëpiake pa manifestimet tradicionale, me qëllim të ruajtjes së shëndetit.

“Këtë vit, për fat të keq, festën do ta presim në atmosferë tjetër, nën kërcënimin e COVID-19, që imponon edhe ndryshim të shprehive, sjelljes dhe veprimeve tona. Prandaj, tani më së shumë se kurrë kemi nevojë për besim dhe guxim. Nuk mbështetje më të madhe shpirtërore se sa fitorja e Krishtit mbi vdekjen. Të qëndrojmë të bashkuar dhe të dalim fitimtar”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Masat janë ndërmarrë pas rritje së numrit të viktimave dhe të të infektuarve.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

Maqedonia e Veriut, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është në krye të listës së shteteve të rajonit sa i përket vdekjeve nga koronavirusit. Në bazë të analizave për kokë banori, rezulton që në 1 milion banorë ka 16 viktima, ndërkohë që në vend të parë me 22 të vdekur është Sllovenia.