EMA: Dy doza duket se mbrojnë nga Delta

Fotografi ilustruese

Dy doza të vaksinës kundër koronavirusit duket se sigurojnë mbrojtje kundër variantit më ngjitës të virusit Delta, tha të enjten Agjenica Evropiane e Barnave (EMA).

Vlerësimi optimist vjen në ditën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se Delta, e identifikuar për herë të parë në Indi, mund të shkaktojë valë të re rastesh në Evropë.

SHIKONI EDHE: Rritet numri i rasteve të reja me COVID-19 në Evropë

Udhëheqësi i strategjisë së vaksinave në EMA, Marco Cavaleri, tha se agjencia “është e vetëdijshme për shqetësimet e nxitura nga përhapja e shpejtë e variantit Delta”.

“Tani për tani, duket se katër vaksinat e miratuara në Bashkimin Evropian mbrojnë kundër të gjitha varianteve që qarkullojnë në Evropë, përfshirë variantin Delta”, tha Cavaleri.

“Të dhënat që dalin nga provat, tregojnë se dy doza të vaksinave janë mbrojtëse ndaj variantit Delta”, theksoi ai.

Katër vaksinat e miratuara për përdorim në BE janë: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, në muajin maj, e ka klasifikuar si shqetësues variantin Delta të koronavirusit.

Një variant etiketohet si i tillë kur duket se është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave ose trajtimeve aktuale.

Video:

Your browser doesn’t support HTML5

Delta mund të shtypet, por si?