“Deri në muajt e verës, mendoj se do të kemi vaksina kundër COVID-19 për 60 deri në 70 për qind të popullatës, që është e mjaftueshme për të ndalur pandeminë, pavarësisht nga problemet aktuale në prokurimin e tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesor dr. Andrej Trampuz, drejtor i laboratorit për hulumtimin e sëmundjeve infektive në "Charité – Universitätsmedizin" në Berlin, një nga spitalet universitare më të mëdha në Evropë.
Ai beson se është e mundur që kompanitë që prodhojnë vaksina po përpiqen ta përdorin këtë situatë për të ardhura shtesë, gjë e cila, sipas tij, është "e pamoralshme".
SHIKONI EDHE: OBSH: 95% e vaksinave të kufizuara në 10 vende“Tani jemi në krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe duhet të bëjmë gjithçka globalisht, kështu që ata që paguajnë më shumë nuk kanë një avantazh, por duhet në të njëjtën kohë të vaksinohen njerëz kudo. Unë mendoj se mënyra e vetme është të shikohet se cilat vaksina të tjera janë në treg, të marrin ato leje për të vendosur konkurrencë midis tyre, në mënyrë që të shmanget një monopol”, thotë Trampuz.
Sipas tij, tani dihet që vaksina jep imunitet më të mirë se imuniteti që fitohet pas infeksionit me koronavirus.
“Kjo është arsyeja pse ne i këshillojmë ata që e kanë kaluar infeksionin të vaksinohen në mënyrë që të forcojnë imunitetin e tyre. Ata që janë vaksinuar me vaksinat e reja (të kompanive) Moderna ose Pfizer/BioNTech kanë, me sa dimë, të paktën një vit imunitet. Por, ndoshta do të jetë më e gjatë. A do të nevojitet imunizimi shtesë dhe kur, do të shohim nëse këta njerëz të vaksinuar infektohen përsëri. Kjo është e nevojshme për shumë infeksione virale”, shpjegon ai.
Profesori Trampuz tregon se vaksina e kompanisë britanike, AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it është 70 për qind efektive dhe madje shfaq më pak imunitet te të moshuarit. Ndërsa vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe Modernas sigurojnë 95 për qind mbrojtje nga koronavirusi, por kanë edhe efekte të vogla anësore.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas tij, vaksinat ruse dhe kineze, të cilat janë bërë sipas parimeve standarde, nuk janë aq efektive sa këto të reja të bazuara në teknologjinë mRNA dhe nuk ka të dhëna për sigurinë e tyre.
Me teknologjinë mRNA janë zhvilluar vaksinat e kompanisë Moderna dhe të kompanive Pfizer/BioNTech.
Dr.Trampuz po ashtu shton se të gjitha barnat që janë testuar kundër koronavirusit, siç është remdesivir, nuk kanë rezultuar të efektshme.
“Ne ende nuk kemi ilaçe kundër koronavirusit. Pra, ne mund t'u japim oksigjen të gjithë pacientëve që vijnë në spital, t'i vendosim në njësinë e kujdesit intensiv, por nuk mund të luftojmë kundër vetë virusit. Çdo pacient tjetër që ka një rrjedhë të rëndë infeksioni, i cili ka nevojë për intubim dhe frymëmarrje artificiale, vdes nga ai virus. Pra, qëllimi ynë duhet të jetë parandalimi i ndonjë infeksioni sepse deri më tani nuk kemi ndonjë kurë për koronavirusin e ri”, thotë Trampuz.
Your browser doesn’t support HTML5
“Megjithatë, prognoza ime është pozitive. Ne kemi treguar se me një mbyllje të mirë mund të parandalojmë përhapjen e virusit dhe shumë shtete e kanë kuptuar këtë. Unë jam gjithashtu optimist sepse kemi një vaksinë shumë të mirë, teknologjia e së cilës është zhvilluar për mbi 20 vjet, vetëm se tani është modifikuar për këtë virus”, shton ai.
Vaksinat ekzistuese, sipas doktorit Andrej Trampuz, ofrojnë mbrojtje edhe ndaj varianteve të reja të sëmundjes COVID-19, që fillimisht janë identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikë të Jugut.
“Ajo (vaksina) gjithashtu krijon imunitet të mirë kundër këtyre varianteve të reja të virusit ose të atyre që mund të shfaqen në javët e ardhshme. Kështu që mendoj se do të jemi në gjendje ta ndalojmë këtë pandemi dhe t’i kthehemi normalitetit. Nëse 60 për qind e njerëzve vaksinohen, kjo është e mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e virusit. Kështu që, unë jam një optimist i madh – ne duhet vetëm të presim edhe pak”, thotë ai.
Trampuz thotë se variantet e reja të virusit që janë shfaqur, janë arsyeja që virusi po përhapet më shpejt. Ai shton se variantet e reja mund të çojnë në mbingarkesën e spitaleve me pacientë.
"(Variantet e reja) Nuk janë më të rrezikshëm në vetvete, por janë të rrezikshëm sepse përhapen më shpejt, do të thotë, do të kemi përsëri rritje eksponenciale, me shumë infeksione të reja, që do të mbushin repartet e kujdesit intensiv në spitale. Kjo do të thotë që tani duhet të marrim masa më të rrepta për të parandaluar përhapjen e varianteve të reja të virusit, që janë më ngjitës, derisa të vijë vaksina. Pra, maskat dhe distanca janë efektive edhe për këto variante të reja", thekson ai.
SHIKONI EDHE: Shtetet vendosin kufizime në udhëtime nga frika e varianteve të rejaDr.Trampuz po ashtu kritikon Evropën se është vonuar në vendosjen e masave kundër koronavirusit.
"Kur virusi filloi të përhapet në tetor, masat e rrepta duhej të zbatoheshin menjëherë. Dhe së dyti, duhet thënë se cilat maska janë më të mirat. Ne e dimë që maskat FFP2 janë më të mira se ato kirurgjikale, dhe ato kirurgjikale janë më të mira se ato standarde që përdorin njerëzit. Pra, nëse do t’u jepnim të gjithë njerëzve falas këto maska të mira atëherë, do të ishte një masë shumë efektive, por për të cilën tashmë jemi vonë. Maskat e pambukut janë rreth 50 për qind të efektshme, kirurgjikale rreth 70 për qind dhe FFP2 95 për qind”, thotë për REL, Andrej Trampuz .