SHBA-ja dhe Seuli në ushtrime të përbashkëta, Koreja e Veriut teston dronët

Fotografi ilustruese.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mbikëqyri një demonstrim të dronëve të rinj shpërthyes të dizajnuar për të goditur objektiva, njoftoi media shtetërore të hënën, ndërsa SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë duke kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Fotografitë e testimit nga Koreja e Veriut shfaqën një dron të bardhë në formë të shkronjës ‘X’ që supozohet se po godiste dhe shkatërronte një objektiv që ngjasonte me tankun kryesor të Koresë së Jugut, K-2.

Shumica e dronëve luftarakë qëndrojnë larg objektivave dhe lëshojnë raketa.

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (KCNA) tha se testimi i së shtunës përfshinte lloje të ndryshme të dronëve të ndërtuar për të fluturuar në distanca të ndryshme për të sulmuar objektivat e armikut në tokë dhe det, duke fluturuar përgjatë rrugëve të ndryshme para se të godisnin saktësisht objektivat, raporton AP.

SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut kritikon Ukrainën për inkursionin në Kursk

Pas testimit, Kim u zotua të përshpejtojë zhvillimin e dronëve që shpërthejnë kur përplasen, kryejnë zbulime ose sulmojnë objektiva nën ujë për të përmirësuar gatishmërinë luftarake të vendit të tij, duke thënë se ushtria e Koresë së Veriut duhet të pajiset me dronë të avancuar “sa më herët që të jetë e mundur", raportoi media shtetërore.

Testimi i dronëve u bë në kohën që ushtria e SHBA-së dhe ajo e Koresë së Jugut po kryejnë një stërvitje masive, e cila do të vazhdojë deri të enjten.

Stërvitjet përqendrohen në përmirësimin e gatishmërisë kundër kërcënimeve nga Koreja e Veriut dhe përfshijnë simulime kompjuterike të luftës dhe trajnim me armë zjarri, me një stërvitje të përbashkët ajrore që përfshin 60 avionë luftarakë.

SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut dislokon 250 raketahedhës në kufi

Forcat ajrore të Koresë së Jugut thanë se stërvitja, e cila filloi me demonstrime të bombardimeve precize që përfshinin avionët luftarakë F-35 dhe F-16 të Koresë së Jugut, ka për qëllim përballimin e kërcënimeve nga dronët, raketat lundruese dhe nga artileria e Koresë së Veriut.

Zëdhënësi i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, Lee Chang Hyun, tha se ushtria e Koresë së Jugut po shqyrtonte me kujdes aftësitë e dronëve të Koresë së Veriut dhe se ushtria e Koresë së Jugut është e pajisur me sisteme për t'i zbuluar dhe kapur ato, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Disa analistë sugjerojnë se dronët e Koresë së Veriut të treguar në fotografitë e medias shtetërore ngjajnë me dronët Zala Lancet-3 të Rusisë, dhe Lee tha se Koreja e Jugu po shqyrtonte mundësinë që Rusia të ketë ndihmuar Korenë e Veriut të aftësohet në fushën e dronëve.