Koreja e Jugut thotë se Veriu ka testuar sërish raketa lundruese

Një person në Seul shikon lajmet lidhur me lëshimin e rakete nga Koreja e Veriut. 28 janar 2024.

Koreja e Veriut ka gjuajtur disa raketa lundruese në ujërat afër brigjeve perëndimore të tij, tha ushtria e Koresë së Jugut, duke shtuar se Veriu ka kryer tri testime të tilla gjatë këtij muaji.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se ushtria jugkoreane dhe ajo amerikane po analizojnë lëshimin e këtyre raketave që u detektuan rreth orë 07:00. Ushtria e Seulit nuk ofroi më shumë detaje, përfshirë edhe sa raketa janë lëshuar, sa gjatë fluturuan ato apo nëse u lëshuan nga toka apo deti.

Lëshimi i këtyre raketave pason testimet e kryera më 24 dhe 28 janar të raketave lundruese Pulhwasal-3-31, që Koreja e Veriut tha se janë të dizajnuara të lëshohen nga nëndetëset.

Pas testimit të dytë, lideri verikorean Kim Jong Un, përsëriti synimin e tij që të ndërtojë një marinë të armatosur me armë bërthamore për të luftuar, atë që ai e përshkroi si rritje të kërcënimeve të jashtme.

Nuk është e qartë nëse lëshimet e raketave të dielën u kryen nga një nëndetëse apo nga një maune nënujore.

SHIKONI EDHE:

Koreja e Veriut thotë se ka testuar një raketë të re lundrueseKoreja e Veriut teston një dron bërthamor nënujor

Tensionet në Gadishullin Korean janë më të larta në vitet e fundit, pasi Kim ka përshpejtuar zhvillimin e armëve të tij në një ritëm të paprecedent, përderisa ka bërë kërcënime bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara, Koresë së Jugut dhe Japonisë.

SHBA-ja dhe aleatët e saj aziatikë janë përgjigjur duke forcuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, në të cilat gjithnjë e më shumë po përfshihen armë strategjike amerikane, sikurse aeroplanmbajtësit, bombarduesit me rreze të gjatë veprimi dhe nëndetëset bërthamore.

Më 14 janar, Koreja e Veriut po ashtu testoi një raketë të re me rreze të mesme veprimi, që operon me karburante të ngurta, duke rritur përpjekjet që të avancojë armët e saj të potencialisht mund të shënjestrojnë asetet amerikane në Paqësor, përfshirë edhe bazën ushtarake në Guam.