Koreja e Veriut tha më 5 mars se Uashingtoni dhe Seuli do të paguajnë “çmim të lartë” për shkak të stërvitjeve të mëdha ushtarake që këto vende nisën gjatë kësaj jave, duke u bërë thirrje që të ndalojnë “stërvitjet e luftës”.
Deri më tani gjatë këtij viti, Pheniani e ka shpallur Korenë e Jugut si “armiken kryesore”, teksa vendi hoqi dorë nga bashkimi i dy Koreve, duke u zotuar për luftë nëse do të shkelet një centimetër tokë e Veriut.
Uashingtoni dhe Seuli kanë nisur stërvitjet e tyre vjetore ushtarake të hënën. Në stërvitjet e sivjetme marrin pjesë numër më i madh i trupave krahasuar me vitin 2023. Këto stërvitjet kanë për synim që të forcohet përgatitja në përgjigje ndaj kërcënimeve bërthamore të Veriut, kanë thënë dy shtetet.
Në këto stërvitjet do të zhvillohen 48 ushtrime fushore, por edhe stërvitje për pengimin e raketave, bombardime dhe sulme nga ajri.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe Koreja e Jugut nisin stërvitje të mëdha ushtarakeNjë zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Veriut u bëri thirrje Uashingtonit dhe Seulit që të ndalin stërvitjet “e pamatura” dhe “të luftës”.
Ushtria e Phenianit “dënon fuqishëm stërvijet e pamatura ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut dhe i paralajmëron ashpër që të ndalin çdo lëvizje që mund të shkaktojë provokim të mëtejmë dhe paqëndrueshmëri”, tha zëdhënësi përmes deklaratës, raportoi agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA.
Koreja e Veriut për një kohë të gjatë ka dënuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Uashingtonit dhe Seulit, duke i quajtur ato si përgatitje për një pushtim.
Në të kaluarën kur janë mbajtur stërvitje të tilla, Koreja e Veriut ka kryer testime armësh.
Seuli tha të martën se ushtria e tij është e përgatitur për provokimet e mundshme të Koresë së Veriut.
“Nëse Koreja e Veriut do të na provokojë drejtpërdrejt nën pretekstin e stërvitjeve tona ushtarake, ne do të përgjigjemi në bazë të parimit të veprimit të menjëhershëm, të shpejtë dhe final”, tha përmes një deklarate Ministria e Mbrojtjes në Seul.
Muajin e kaluar, lideri verikorean, Kim Jon Un, tha se Pheniani nuk do të hezitojë që “t’i japë fund” Koresë së Jugut, nëse sulmohet.