Koreja e Veriut mohon se po i shet armë Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij verikorean, Kim Jong-un.

Koreja e Veriut ka thënë se nuk i ka shitur kurrë armë Rusisë dhe nuk planifikon diçka të tillë në të ardhmen.

Këto deklarata vijnë pas raportimeve nga Shtetet e Bashkuara se Moska është kthyer kah Pheniani për të mbushur rezervat.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia mund të blejë raketa dhe predha artilerie nga Koreja e Veriut.

Sipas tyre, veprime të ngjashme, bashkë me dyshimet për blerje të armëve iraniane, tregojnë se sanksionet e Perëndimit janë duke penguar synimet e Rusisë në luftën e nisur në Ukrainë.

Moska ka hedhur poshtë këto raportime.

Çfarëdo lëvizjeje e armëve në mes të të dyja shteteve do të përbënte shkelje të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

SHIKONI EDHE: Sa i ndihmojnë Rusisë armët e Koresë së Veriut?

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, një zyrtar i paidentifikuar nga Ministria verikoreane e Mbrojtjes, është cituar të ketë thënë se “ne nuk kemi eksportuar kurrë armë dhe municion në Rusi, dhe nuk planifikojmë të bëjmë kësi eksporti”.

Ky zyrtar ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe “forcat armiqësore” për përhapje të thashethemeve, për të arritur “synimet politike dhe ushtarake”.

Në fillim të muajit shtator, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se blerjet e Rusisë në Korenë e Veriut “mund të përfshijnë miliona raketa dhe predha artilerie”.

Mirëpo më vonë, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se blerjet nuk janë kryer dhe se nuk ka të dhëna se armët do të përdoreshin në luftën në Ukrainë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, ka rezultuar të jetë e shtrenjtë për ushtrinë rusë, pavarësisht përdorimit të armëve të avancuara.

Forcat ukranase, duke përdorur armët e Perëndimit, kanë çliruar së fundi disa rajone, dhe i kanë shkaktuar humbje të mëdha ushtrisë ruse.

SHIKONI EDHE: "Goditje Rusisë"

Shumë prej armëve të Koresë së Veriut janë të dizajnuara nga Rusia dhe datojnë nga periudha sovjetike, ndonëse disa janë të ngjashme me armët ruse.

Në korrik të këtij viti, Koreja e Veriut ka qenë një prej pak shtetve që ka njohur zyrtarisht shtetësinë e dy rajoneve të mbështetura nga separatistët rusë në lindje të Ukrainës.

Si shenjë hakmarrjeje, Ukraina ka shkëputur të gjitha lidhjet me Phenianin.