Nëndetëse dhe dronë bërthamorë: Pse Koreja e Veriut po e forcon marinën?

Një person duke shikuar lajmet lidhur me njoftimin se Koreja e Veriut ka ndërtuar një nëndetëse të re bërthamore. Seul, 8 shtator 2023.

Reuters

Gjatë vitit të fundit, Koreja e Veriut ka punuar për të forcuar marinën e saj me armë të reja bërthamore, përfshirë dronë nënujorë, luftanije, ndërkaq më 7 shtator lansoi nëndetësen e saj të parë me raketa operacionale.

Historikisht, marina e Koresë së Veriut ka qenë më e dobët sesa forcat tokësore të shtetit dhe ka qenë nën hijen e programit të avancuar të raketave balistike.

Tani, lideri verikorean Kim Jong Un, tha se marina do të luajë rol kyç në parandalimin bërthamor dhe analistët thanë se mundet që të ofrojë po ashtu mbështetje në mesin e disa komandantëve detarë dhe të rrisë krenarinë kombëtare.

“Deri kohëve të fundit, Kim dukej se gjerësisht kishte neglizhuar programin bërthamor detar”, tha Ankit Panda nga Carnegie Endowment for International Peace me seli në Shtetet e Bashkuara.

“Përqendrimi i bërë së fundi në aftësitë bërthamore detare me gjasë është mirëpritur nga Marina e Koresë së Veriut”.

SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut thotë se ka ndërtuar një nëndetëse të re bërthamore

Në këtë tekst mund të mësoni se çfarë dihet për marinën verikoreane dhe për njoftimin e fundit lidhur me nëndetësen me aftësi bërthamore:

Sa është e madhe marina e Koresë së Veriut?

Forca Detare e Ushtrisë Popullore Koreane ka rreth 470 anije, përfshirë edhe anije të pajisura me raketa, anije siluruese, anije të vogla patrullimi dhe varka mbështetëse për zjarr, ka thënë më 2022 ushtria e Koresë së Jugut.

Po ashtu ka rreth 70 nëndetëse, përfshirë edhe anije të klasit Romeo, që janë të dizajnit të epokës sovjetike, por edhe nëndetëse të vogla.

Marina po ashtu ka 40 anije mbështetëse për ankorim dhe 250 mjete të tjera mbështetëse lundruese.

SHIKONI EDHE: Synimet e Koresë së Veriut për test të ri bërthamor

Marina është e ndarë në dy flota që mbulojnë bregun lindor dhe perëndimor të shtetit. Pothuajse 60 për qind të forcave të saj janë të pozicionuara në jug të Phenianit, sipas raportit që publikoi ushtria jugkoreane më 2022.

“Forcat Detare të Kores së Veriut kanë aftësi për të kryer sulme të befasishme në çdo kohë”, u tha në raport. “Megjithatë, kapacitetet e saj për operacione në det të thellë janë të kufizuara për shkak se konsistojnë kryesisht në anije të vogla, por me shpejtësi të madhe”.

Cilat janë armët e reja të marinës?

Në mars dhe në prill, Koreja e Veriut testoi atë që e përshkroi si armë të paidentifikuar nënujore bërthamore.

I emëruar “Haeil” ose cunami, sistemi i ri i dronëve synon që të kryejë sulme të befasishme në ujërat e armikut dhe të shkatërrojë sulmet detare , por edhe të kryejë sulme të mëdha operacionale përmes shpërthimeve nënujore, tha media shtetërore.

Një fotografi e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, pretendon se shfaq sulmin nënujor të kryer nga sistemi i dronëve "Haeil".

Analistët thanë se koncepti i armëve operacionale është i ngjashëm me siluruesin bërthamor rus Poseidon, një kategori e re armësh hakmarrëse të cilat kryejnë shpërthime shkatërruese radioaktive në zonat bregdetare.

Megjithatë, atëbotë në një raport i 38 North, me seli në Uashington, u tha se shpejtësia e ngadaltë e kësaj arme dhe rrezja e kufizuar e veprimit e bën atë inferiore ndaj raketave balistike dhe lundruese që aktualisht ka Veriu, e të cilat janë të afta të bartin armë bërthamore. Kjo pasi raketat balistike dhe lundruese kanë rreze më të gjerë veprimi, janë më të sakta dhe më vdekjeprurëse.

Në gusht, Kim inspektoi një anije patrulluese të llojit Amnok, që sipas medias shtetërore, është e aftë të lëshojë raketa lundruese bërthamore.

“Pavarësisht faktit se shumica e armëve dhe sensorëve në bord janë shumë të vjetra në krahasim me dizajnet perëndimore apo aziatike, ky është një hap i madh përpara për Korenë e Veriut”, u tha në raportin e publikuar në ueb-faqen Naval News.

Të premten, Koreja e Veriut tha se ka lansuar “nëndetësen e parë operacionale të aftë të kryejë sulme me armë taktike bërthamore”. Kjo anije është e pjesë e flotës së lindjes.

SHIKONI EDHE:

Çfarë janë raketat balistike me lëndë djegëse të ngurta?Koreja e Veriut shfaq shumëllojshmërinë e raketave

Anija duket se është modifikim i nëndetëses së klasit Romeo, dhe ka 10 tube lëshimi, që me gjasë mund të pajisjen me raketa balistike dhe lundruese.

Zyrtarët jugkoreanë thanë se nëndetësja e re mund të mos jetë krejtësisht funksionale.

Sikurse dronët bërthamore, përdorimi i saj në luftë mund të jetë i kufizuar në krahasim me raketat tokësore të Koresë së Veriut, thanë analistët.

“Nëndetëset e tyre nuk do të jenë në gjendje të jenë aq të qëndrueshme sa forcat e tyre tokësore”, tha Vann Van Diepen, ish-ekspert i Qeverisë amerikane për armët, i cili aktualisht punon në 38 North. “Ata do të kenë vështirësi për të dislokuar raketa të mjaftueshme në det, në mënyrë që ta bëjnë dallimin”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku