Koreja e Jugut me të shtëna paralajmëruese në kufi me Veriun

Ushtarë të Koresë së Jugut bëjnë roje pranë Vijës së Demarkimit Ushtarak. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ushtria e Koresë së Jugut ka kryer të shtëna paralajmëruese pasi disa ushtarë të Koresë së Veriut kaluan kufirin mëngjesin e 20 qershorit, bëri të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Seulit.

Ushtarët e Koresë së Veriut u tërhoqën pas të shtënave, tha ushtria e Jugut.

Ushtarët verikoreanë kaluan Vijën e Demarkimit Ushtarak që kalon përmes Zonës së Çmilitarizuar mëngjesin e së enjtes.

Ky është incidenti i tretë i këtij lloji gjatë këtij muaji. Koreja e Jugut kishte gjuajtur të shtëna paralajmëruese edhe të martën pasi dhjetëra ushtarë të Koresë së Veriut kishin shkelur vijën e demarkimit.

Edhe pse përleshjet vdekjeprurëse kanë ndodhur herë pas here gjatë dekadave të fundit që kur lufta e hapur mes dy shteteve përfundoi në fund të Luftës Koreane më 1950-1953, incidentet e fundit paraqesin një rritje të rrallë të aktivitetit ushtarak pranë vijës së demarkimit.

Incidenti vjen pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi Phenianin gjatë kësaj jave. Kjo ishte vizita e tij e parë në Korenë e Veriut pas 24 vjetësh.

SHIKONI EDHE: Rusia dhe Koreja e Veriut zotohen se do ta ndihmojnë njëra-tjetrën nëse sulmohen

Ndaras, Kim Yo Jong, motra e liderit të Veriut, lëshoi një deklaratë duke dënuar aktivistët e Koresë së Jugut që lëshuan balona drejt Veriut në të cilat kishte pamflete.

Lëshimi i balonave ka qenë burim i rritjes së tensioneve mes dy Koreve, pasi edhe Veriu ka lëshuar balona – të mbushura me mbeturina – drejt Jugut, duke shkaktuar disa dëme materiale.