Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka informacione se talibanët afganë dyshohet se “po marrin kontrollin e grupeve të trafikantëve me njerëz në kufirin serbo-hungarez”.
Kështu pretendon një raport i inteligjencës së Hungarisë, i cili u deklasifikua më 31 tetor, me kërkesë të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare të këtij vendi.
Në raport thuhet se “shërbimi sekret i talibanëve, si në mënyrë operative, ashtu edhe në atë organizative, i ka vënë nën kontroll grupet e kontrabandistëve nga Afganistani në Vojvodinë” - pjesa veriore e Serbisë.
Qëllimi i tyre, siç thuhet në raport, është që “t’i përdorin potencialisht të ardhurat nga kontrabanda e njerëzve për të financuar operacione terroriste”.
Dokumenti u hartua më 25 tetor nga Qendra Kombëtare Informative e Hungarisë - një agjenci qeveritare që merret me informacione për sigurinë kombëtare.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë raport, Qendra Shtetërore Hungareze për Luftimin e Terrorizmit tha se “nuk ka informacion në lidhje me planet për kryerjen e ndonjë akti terrorist, që do t’i kërcënonte drejtpërdrejt qytetarët e Hungarisë”.
Patrullat e përbashkëta policore pa koment
Derisa ikin nga luftërat dhe varfëria, mijëra njerëz në lëvizje qëndrojnë në zonën kufitare Serbi-Hungari, duke kërkuar mënyra për të kaluar kufirin në Bashkimin Evropian - shpesh me ndihmën e kontrabandistëve.
Raporti hungarez u publikua në një kohë të përplasjeve gjithnjë e më të shpeshta midis grupeve kontrabanduese që luftojnë për kontrollin e territoreve në zonë.
Pas të shtënave në qytetin Horgosh, më 27 tetor, policia serbe dhe ajo hungareze kanë rënë dakord për patrullime të përbashkëta në zonën kufitare.
Ministritë e punëve të brendshme dhe shërbimet e sigurisë në të dyja vendet nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me pretendimet se kontrabandistët në atë zonë, kontrollohen nga grupi militant taliban, i cili ka marrë pushtetin në Afganistan në vitin 2021.
As Agjencia e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex - policët e së cilës janë të pranishëm edhe afër kufirit serbo-hungarez - nuk deshi ta komentojë raportin.
“Frontex punon ngushtë me autoritetet serbe, duke i ndihmuar me aktivitete si: kontrollet kufitare dhe mbikëqyrja e kufirit, marrja e shenjave të gishtërinjve dhe regjistrimi i migrantëve”, tha Frontex.
“Raport pa prova”
Aktivistë joqeveritarë nga Serbia dhe Hungaria, të cilët i kanë monitoruar refugjatët që nga fillimi i krizës në vitin 2015, deklarojnë se grupet kontrabanduese, të përmendura në raport, kanë “operuar” në kufi për një kohë të gjatë dhe se dokumenti hungarez nuk paraqet asnjë provë për lidhjen e tyre të pretenduar me talibanët.
SHIKONI EDHE: Policia serbe gjen migrantë dhe armë në kufirin me HungarinëSasha Dragojllo, gazetar i portalit kërkimor rajonal, BIRN, i cili ka publikuar disa artikuj për rrjetet e kontrabandës, bën të njëjtin vlerësim.
“Nuk ka pothuajse asnjë fakt të ri në raport. Shumica e gjërave mund të gjenden përmes një kërkimi të thellë në arkivin e medias ose janë pjesë e bashkëpunimit të brendshëm policor”, thotë Dragojllo për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, edhe vetë gjuha e raportit nuk është informuese.
“Të gjitha pretendimet për kontrollin e talibanëve dhe terrorizmin janë shkruar në mënyrë potenciale, pra si mundësi, dhe jo si diçka për të cilën ka prova të fuqishme”, thotë Dragojllo.
Komiteti joqeveritar i Helsinkit në Hungari dhe organizata “Migration Aid” nënvizojnë se është Qeveria hungareze, e cila udhëhiqet nga kryeministri i ekstremit të djathtë, Viktor Orban, ajo që është përgjegjëse për forcimin e grupeve kontrabanduese.
Duke ngritur një gardh me tela prej 175 kilometrash përgjatë kufirit me Serbinë dhe me praktikën e kthimit të detyruar, Hungaria i ka shtyrë refugjatët në duart e kontrabandistëve dhe i ka forcuar rrjetet e tyre, thonë për REL-in aktivistët e këtyre organizatave.
“Bazuar në përvojën nga terreni, dyshoj se shërbimi hungarez është në krye të detyrës. Situata në zonën kufitare, në thelb, ka mbetur e pandryshuar dhe kontrabandistët nga ana serbe i kanë shfrytëzuar të njëjtat lokacione për t’u fshehur nga policia, për vite me radhë”, thotë Andras Siewert nga organizata “Migration Aid” në Budapest.
“Synime politike”
Sipas aktivistëve, raporti i përshtatet narrativës së Qeverisë populiste hungareze kundër migrantëve.
Kjo narrativë tani përdoret në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian dhe zgjedhjeve lokale në Hungari, që do të mbahen në qershor të vitit 2024, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti politik me bazë në Budapest, Gergelj Rajnai.
“Meqenëse qëndrimi i Qeverisë për këtë temë ka mbështetje të madhe në vend dhe shumica e partive opozitare nuk debatojnë në thelb për këtë, është e kuptueshme që Fidesz [partia në pushtet] dëshiron ta shtojë migrimin në mesin e temave të diskutuara në fushatë”, thotë Rajnai.
Në qershor, kryeministri hungarez e hodhi poshtë marrëveshjen e BE-së për rishikimin e rregullave për migrantët dhe azilkërkuesit.
Më 8 qershor, ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord për dy propozime kryesore ligjore, të cilat, mes tjerash, parashikojnë që vendet që nuk duan të pranojnë refugjatë, mund të paguajnë deri në 20.000 euro për një person që e refuzojnë.
Orban akuzoi Brukselin se dëshiron “ta kthejë me forcë Hungarinë në një vend migrantësh”.
Në korrik të vitit 2022, ai shkaktoi reagime të ashpra nga bota, kur tha se hungarezët “nuk janë dhe nuk duan të bëhen racë e përzier”.
Më herët, ai ka folur edhe për ruajtjen e “homogjenitetit etnik” në Hungari, duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj migracionit qysh nga viti 2015.
“Meqenëse Hungaria është relativisht homogjene etnikisht, kjo temë është ndoshta ‘më e sigurta’ për partitë në pushtet. Rëndësia e saj nuk mund të krahasohet me problemet ekonomike, prandaj Qeveria përpiqet ta nxjerrë në pah rëndësinë e saj sa herë që është e mundur”, thotë Rajnai.
Çfarë thotë Qeveria në Budapest?
Raporti i Qendrës Kombëtare Informative të Hungarisë, e cila në 11 faqe e informon Komisionin Parlamentar për Siguri Kombëtare për situatën në kufirin serbo-hungarez, është kryesisht i censuruar.
Mes tjerash, aty thuhet se lufta midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas - i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - “ka rritur rrezikun e terrorizmit” dhe se rrjetet terroriste “mund ta përdorin të ashtuquajturën rrugë të refugjatëve të Ballkanit Perëndimor për të minuar sigurinë dhe për të kryer sulme në Evropën Perëndimore”.
Raporti thotë se konfliktet e brendshme ndërmjet grupeve të ndryshme kontrabanduese në veri të Serbisë janë në rritje dhe se policia serbe nuk është në gjendje ta kontrollojë situatën.
Qëllim i talibanëve, siç thuhet, është mbyllja e përhershme e konflikteve të brendshme të grupeve afgane, me qëllim marrjen e “kontrollit të plotë të transferimit të parave nga kontrabanda dhe investimit të tyre potencialisht në financimin e terrorizmit”.
Duke reaguar ndaj raportit, këshilltari për siguri kombëtare i kryeministrit hungarez, Gyorgy Bakondi, i tha televizionit shtetëror më 3 nëntor se “për shkak të politikës së dështuar të BE-së për migracionin, shërbimi sekret taliban dhe Qeveria afgane vendosin se kush mund të hyjë në Evropë”.
SHIKONI EDHE: Orban kundër rishikimit të rregullave të BE-së për migrantët dhe azilkërkuesitZëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme të Hungarisë, Geza Fazekas, tha për Radion Evropa e Lirë se, në vitin 2022, ky institucion ka ndjekur penalisht gati 1.500 persona, nën dyshimet për kontrabandë.
Mirëpo, nuk ka pasur raste edhe me akuza për akte terroriste, tha Fazekas në një deklaratë me shkrim për REL-in.
“Në këtë situatë, është veçanërisht cinike që shteti hungarez, muajve të fundit, ka liruar më shumë se 1.600 kontrabandistë njerëzish nga burgjet e tij”, thotë për REL-in Zolt Sekeres nga Komiteti i Helsinkit.
Më shumë se 1.800 kontrabandistë të dënuar u dëbuan nga Hungaria
Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale e Hungarisë i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se deri më 15 nëntor 2023, 1.810 shtetas të huaj, të dënuar për trafikim njerëzish, janë dëbuar nga vendi.
“Hungaria ka marrë masa të ashpra ndaj kontrabandistëve të njerëzve në vitet e fundit, si rezultat i të cilave në burgjet hungareze janë dërguar gati dy mijë kontrabandistë dhe shpenzimet e tyre janë mbuluar nga shteti hungarez. Për shkak të situatës së paqëndrueshme, të krijuar nga ky numër i të burgosurve, me dekret të Qeverisë Hungareze u krijua mundësia e vendosjes së tyre në paraburgim riintegrues, së bashku me masat e dëbimit nga vendi”, tha ky institucion.
Qëllimi i dekretit, siç u tha, ishte që “barra e ekzekutimit të dënimit, të mos bartej nga taksapaguesit hungarezë”.
Administrata e akuzoi Bashkimin Evropian se “nuk i ka dhënë para Hungarisë as për shpenzimet e ndalimit të trafikantëve të qenieve njerëzore, as për ndërtimin e një burgu”.
“Në anën tjetër, ata presin që ne t’i mbajmë kontrabandistët e huaj - të kapur në kufi - në burgjet e brendshme. Hungaria duhej ta merrte këtë vendim, sepse Brukseli nuk kontribuon në kostot e mbrojtjes së kufijve”, tha administrata hungareze.
Informacioni i parë për lirimin masiv të kontrabandistëve të dënuar u publikua në fillim të verës, kur, sipas gazetës austriake, Der Standard, ministri austriak i Policisë, Gerhard Karner, kërkoi informacione shtesë për këtë veprim të autoriteteve hungareze.
Sipas kësaj gazete, ministri hungarez i Policisë, Sandor Pinter, u përpoq ta qetësonte kolegun e tij, duke deklaruar se të dënuarit e liruar, kanë kryer një pjesë të mirë të dënimit dhe se, kryesisht, “ata po largohen nga Hungaria për në Serbi”.
Çfarë thonë në Serbi?
Prokuroria për Krim të Organizuar thotë për Radion Evropa e Lirë se është në dijeni për grupet afgane të kontrabandës, të përmendura në raportin hungarez, por se nuk ka njohuri për lidhjet e tyre të pretenduara me talibanët.
“Këto janë grupet që janë më aktive në kontrabandimin e njerëzve në zonën afër kufirit me Hungarinë”, thotë Prokuroria.
Sipas saj, nga viti 2022 e deri më sot janë ndjekur penalisht dhjetë grupe të organizuara të kontrabandës.
Kush janë grupet e kontrabandës që i përmend Hungaria?
Raporti thekson se shumica e operacioneve të kontrabandës së njerëzve në zonën kufitare, kontrollohen nga dy grupe afgane.
Njëri quhet “400/59” dhe tjetri “313”.
Të gjitha konfrontimet e armatosura në veri të Serbisë, siç thuhet në raport, janë rezultat i luftës së këtyre dy grupeve për epërsi.
SHIKONI EDHE: Policia e Serbisë intervenon pas një përleshjeje të migrantëveRaportimet për dhunë dhe përleshje të armatosura mes kontrabandistëve janë bërë më të shpeshta që nga vera e vitit 2022, ndërsa në luftën për para dhe territor, viktimat në zonën e vendbanimeve joformale të refugjatëve në veri të Serbisë, janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Dragojllo thotë se grupet e përmendura në raportin hungarez, për të cilin BIRN-i ka shkruar më parë, ekzistojnë për rreth dy vjet.
Sipas tij, grupi “313” është krijuar si “krah renegat” i grupit “400/59”.
Grupi “313” ka marrë emrin e njësisë talibane “Badri 313”.
Është njësia e parë elitare e organizuar e ushtrisë talibane, e cila doli në pah pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan, në gusht të vitit 2021.
Talibanët i promovuan më pas forcat e tyre speciale përmes videove, që e tregonin këtë njësi si një ushtri profesionale, të pajisur mirë.
Më 30 dhjetor të vitit 2022, policia serbe ka njoftuar se ka arrestuar Hashim Abdulin në afërsi të Suboticës - pjesa veriore e Serbisë. Për të është thënë se ka qenë komandant i “Brigadës 313 Badri” në Afganistan.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për detajet e këtij arrestimi, ku ndodhet sot Hashim Abdul dhe çfarë u konstatua pas arrestimit.
Në rrjetet sociale mund të gjenden disa grupe të nënshkruara me numrin “313”, dhe njëri prej tyre, “afg kriminal 313”, gjykuar nga postimet në TikTok, ndodhet në kufirin hungarez, ku organizon kalime kufitare.
Shenja dalluese e këtij grupi shihet edhe në fotografinë e publikuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, pas aksioneve në fund të tetorit, në veri të këtij vendi.
Përveç numrit “313”, nuk mund të përcaktohet nëse dhe në çfarë mënyre grupi është i lidhur me talibanët.
Ndryshe nga njësia talibane, e cila paraqitet si një ushtri profesionale, anëtarët e këtij grupi janë më të rinj, me rroba civile, lëvizin në grupe më të vogla dhe zakonisht pozojnë në stilin e “djemve të rrezikshëm”.
Janë të maskuar në disa nga videot, por në shumicën e postimeve u dallohen qartë fytyrat.
Në një nga regjistrimet në TikTok, në profilin “afg kriminal 313”, i cili ka mbi 57.000 ndjekës, kontrabandistët mund të shihen duke folur me oficerët e policisë hungareze.
Grupin e dytë “40/059”, raporti hungarez e cilëson si më të rrezikshmin.
Një kërkim në llogarinë TikTok tregon se grupi promovon hapur trafikimin e qenieve njerëzore, rivalitetin me grupin “313”, por jo edhe pikëpamjet ekstremiste.
Në komentet e postimeve të tyre mund të gjenden edhe pyetje për çmimin e kalimit të kufirit, i cili thuhet se është rreth 1.000 euro për person.
Në shtator të këtij viti, BIRN-i publikoi fotografi që tregonin anëtarët e këtij grupi duke pozuar para dhe mbi çatinë e një makine të policisë kufitare serbe.
Policia serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me këto fotografi.
Pse forcohen grupet e kontrabandës?
Në raportin hungarez thuhet se identifikimi i anëtarëve të këtyre grupeve është i “vështirë”, sepse ato kanë “kampe të lëvizshme” në pyjet kufitare - gjë që e bën të lehtë ndërrimin e vendeve dhe fshehjen e provave.
“As oficerët e policisë serbe nuk hyjnë në territoret e tyre, por një njësi operative speciale, që dërgohet herë pas here nga Beogradi, e bën këtë”, thuhet në raport.
Që nga raportimet për dhunën në mes të vitit 2022, policia serbe ka kryer disa bastisje në zonën kufitare - gjatë të cilave qindra njerëz janë “shpërngulur” në kampet shtetërore në të gjithë vendin.
Ministri serb i Policisë, Bratisllav Gashiq, mbajti një takim me bashkëpunëtorët e tij më të afërt pranë kufirit, më 13 nëntor, dhe tha se “detyrë prioritare është gjetja e grupeve të organizuara kriminale të përfshira në kontrabandë”.
“Nga fundi i tetorit e deri më sot, në operacionet policore janë arrestuar tetë kontrabandistë dhe janë ndaluar 190 persona të tjerë për krime të ndryshme”, njoftoi MPB-ja serbe, por nuk dha më shumë detaje për të arrestuarit.
Në raportin hungarez thuhet se “veprimet e autoriteteve serbe janë më shumë për të qetësuar popullsinë vendase, sesa për një zgjidhje të qëndrueshme të situatës së sigurisë”.
Si funksionojnë kontrabandistët?
Kontrabandistët funksionojnë si një rrjet transnacional - nga vendet prej të cilave refugjatët nisen për në destinacionet e tyre përfundimtare në vendet e Bashkimit Evropian.
“Anëtarë të këtij rrjeti janë edhe migrantë, edhe taksistë lokalë, edhe pronarë të bujtinave dhe, sipas disa raportimeve, edhe policë. Strukturat shtetërore dhe joshtetërore janë pjesë e këtij rrjeti dhe nuk është gjë tjetër veçse krim i organizuar”, thotë avokati që përfaqëson azilkërkuesit në Serbi, Nikolla Kovaçeviq, për Radion Evropa e Lirë.
“Sa më shumë që janë ngritur gardhe, janë investuar para, janë dislokuar ushtria dhe policia, është rritur politika kufizuese, aq më shumë njerëz që nuk kanë pasur ku të shkojnë, janë detyruar t’u drejtohen kontrabandistëve. Me rritjen e numrit të njerëzve që u drejtohen [kontrabandistëve], rritet edhe shuma e parave”, shton ai.
Cila është zgjidhja?
Nuk ka të dhëna për numrin e personave që kanë arritur ta kalojnë kufirin serbo-hungarez, por, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Hungarisë, vetëm në vitin 2022 janë “shtyrë” në Serbi gati 160 mijë persona në lëvizje.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka lëshuar vendime në disa raste, duke dënuar trajtimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve në kufirin hungarez dhe duke e konsideruar kthimin e tyre me forcë në Serbi si të paligjshëm.
Vendime u shpallën edhe nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë - si gjykata më e lartë e BE-së - por Hungaria i hodhi poshtë të gjitha.
“Nëse Qeveria [hungareze] do t’i zbatonte vendimet, një gjë e tillë do të bënte që më pak njerëz të binin viktima të rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar”, thotë Zolt Sekeres nga Komiteti hungarez i Helsinkit.
Ai thotë se krijimi i një sistemi të drejtë dhe lehtësisht të qasshëm të azilit, do t’i ndalonte rrjetet e kontrabandës.
“Nëse është e mundur që të aplikosh ligjërisht dhe në mënyrë të sigurt për azil në një vend, atëherë shumë më pak njerëz do të detyroheshin t’i përdornin shërbimet e kontrabandistëve”, thotë Sekeres.
SHIKONI EDHE: Rruga Ballkanike edhe më tej ‘lojë e jetës dhe vdekjes’Pavarësisht gardheve, kamerave dhe patrullave të përbashkëta kufitare, e ashtuquajtura “rrugë ballkanike” mbetet rruga e dytë më aktive e refugjatëve, sipas raporteve të Frontex-it.
Kjo agjenci tha për REL-in se në dhjetë muajt e parë të vitit 2023, janë regjistruar gati 100 mijë “kalime të parregullta kufitare në këtë rrugë”.
Sipas vlerësimeve të Qendrës joqeveritare për Ndihmë Migrantëve dhe Azilkërkuesve, aktualisht në Serbi janë rreth 5.000 refugjatë.
Sipas raportit të Komisariatit për Refugjatë në Serbi, të publikuar në shtator, rreth 2.300 persona - kryesisht nga Afganistani, Siria, Maroku dhe Pakistani - kanë qenë të strehuar në 16 kampe shtetërore.