Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të mos vazhdohet me konkurset e shpallura javëve të fundit, të cilat i konsideron si joligjore.
Javëve të fundit, janë qindra konkurse për vende të reja të punës në institucionet në nivelin qendror dhe atë lokal, por problemi qëndron në faktin se të gjitha këto konkurse janë shpallur duke u bazuar në Ligjin për shërbimin civil, ligj i cili që nga data 11 shtator nuk është më në fuqi, pasi që nga ajo datë ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se “të gjitha konkurset për punësim në shërbimin civil të publikuara nga institucionet e administratës shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë ekzekutive dhe rregullative, nuk mund të procedohen tutje”.
“Kjo është e vetmja mënyrë e ligjshme dhe e shëndoshë që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore, përndryshe do të rrezikohej që institucionet dhe partitë politike të ekspozoheshin ndaj akuzave dhe kritikave për politizim të administratës publike”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.
“Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës Publike që t’i informojë institucionet publike, që konkurset për punësim të shpallura aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore, nuk mund të vazhdojnë tutje deri kur qeveria t’i ketë aprovuar aktet përkatëse nënligjore dhe t’i ketë marrë vendimet e duhura”, thekson Zyra e BE-së.
SHIKONI EDHE: Qindra konkurse në institucionet publike, drejt anulimitZeqir Bekolli, zëdhënës në Ministrinë e Administratës Publike, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo ministri është njoftuar për qëndrimin e Zyrës së BE-së dhe se mbi këtë bazë është duke punuar që sa më parë të njoftohen institucionet e administratës publike për veprimet që duhet të ndërmerren, deri në aprovimin e akteve nënligjore nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Ndërkaq, për institucionet, që kërkohet të merren vendime për procedim të mëtejmë me procedura të rekrutimit e nuk varen nga vendimet e Qeverisë, këtë mund ta bëjnë duke zbatuar drejtpërsëdrejti dispozitat ligjore të Ligjit për zyrtarët publikë. Ministria e Administratës Publike tashmë i ka të gatshme, të përgatitura, aktet nënligjore dhe javën tjetër do t’i procedojë për miratim në qeveri”, tha Bekolli.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Administratës Publike, vetëm deri më 19 shtator janë aprovuar 513 kërkesa për konkurse (duke përfshirë edhe datën para hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë) për nivelin qendror, për ministri, agjenci të pavarura dhe nivel komunal.
Radio Evropa e Lirë më herët i ka verifikuar shumë prej konkurseve të shpallura në faqet e internetit të disa institucioneve shtetërore, siç janë faqet e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Infrastrukturës, Ministrisë së Diasporës, asaj të Administratës Publike, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e po ashtu edhe në nivelin lokal, ku janë identifikuar Komuna e Prishtinës, e Podujevës, ajo e Prizrenit e komuna tjera, ku figurojnë shumë konkurse të hapura për punësime.
Që kur Radio Evropa e Lirë kishte raportuar për këto konkurse që kishin për bazë ligjin e shfuqizuar (më 19 shtator), gjendja kishte ndryshuar qysh pas datës 20 shtator, kur numri i konkurseve të shpallura nga institucionet publike kishte rënë dukshëm.
Kurse përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë reaguar lidhur me konkurset e shpallura, shprehen se Ministria e Administratës Publike duhet që fillimisht të anulojë konkurset e shpallura në këtë institucion dhe më pas të dërgojë njoftimin edhe tek institucionet tjera.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se e vetmja mënyrë për të pasur një proces të drejtë, të paanshëm dhe jo të politizuar, është që këto konkurse, sipas tij të kundërligjshme, të anulohen dhe më pas të vazhdohet më konkurse të reja.
“Ministria e Administratës Publike, si autoritet qendror sa i përket shërbimit civil apo zyrtarëve publikë, e ka për obligim që të kërkojë dhe informojë të gjitha institucionet e administratës publike që konkurset e shpallura në kundërshtim me ligjin e ri (Ligjin për zyrtarët publikë) të anulohen. Si dhe në të njëjtën kohë, të fillojë menjëherë pa vonesë në hartimin e legjislacionit sekondarë, përmes së cilit do të përcaktohen procedurat dhe kriteret e rekrutimit të stafit publik”, thotë Miftaraj.
SHIKONI EDHE: Institucionet nuk zmbrapsen nga konkurset e "paligjshme"Ligji për zyrtarët publikë është miratuar në muajin shkurt në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës është shpallur më 11 mars të këtij viti, ku thuhet se “Ligji hyn në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare”, që i bie më 11 shtator të këtij viti.
Strukturimin dhe hartimin e këtij ligji e ka përkrahur edhe Bashkimi Evropian, veçanërisht përmes këshillave të ekspertëve dhe dialogut të politikave, thuhet në përgjigje të Zyrës se BE-së, për Radion Evropa e Lirë.
Në mënyrë të veçantë, thuhet me tutje në përgjigje, BE-ja ka mbështetur kritere më të forta për rekrutim dhe ngritje në detyrë, të bazuara në meritë, integritet moral, paanshmëri dhe qëndrueshmëri.
BE kërkon që në të ardhmen, rekrutimet e politizuara dhe të pamerituara të pamundësohen apo të bëhen gjithnjë e më të vështira, duke siguruar transparencë më të madhe dhe kritere më të forta meritore gjatë testimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve.
Që nga miratimi i këtij ligji në Kuvend, BE-ja, sipas Zyrës së saj në Prishtinë, është duke mbështetur edhe zhvillimin e akteve të nevojshme nënligjore të cilat, pasi të miratohen nga Qeveria, thuhet se do të sigurojnë që ky ligj të zbatohet mirëfilli. Tutje, BE-ja, thotë do të vazhdojë të mbështesë administratën e Kosovës në zbatim, si përmes ekspertizës ashtu edhe me dialog të politikave.