Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun e tij në Shkup, Talat Xhaferi, ka theksuar se rajoni nuk është imun nga ndikimet e Rusisë, dhe kjo vërehet në veprimet e Serbisë gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
“Veprimet e Serbisë janë të papranueshme, ato kanë për qëllim destabilizimin dhe ndarjen de-facto të shtetit të Kosovës. Ne, si popull, qëndrojmë shumë të bashkuar që t’i luftojmë këto veprime, të cilat kanë si prapavijë gjeopolitike ndikimin rus dhe fuqishëm do të ecim në shtetin demokratik të Kosovës për sundim të ligjit dhe për demokraci në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kosova është e përcaktuar për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”, ka theksuar në Shkup, Konjufca, duke komentuar zhvillimet në Kosovë.
Situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është e tensionuar, pasi disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.
- Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.
Gjatë vizitës në Shkup, Konjufca ka thënë se gjatë këtij muaji Kosova ka ndërmarrë dy veprime, të cilat kanë qenë plotësisht të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian: arritjen e marrëveshjes në Bruksel për çështjen e targave dhe shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
“Serbia, në anën tjetër, u përgjigj me mbështetjen e eksponentëve, të cilët janë në krye të krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës, e të cilët ndërmarrin veprime të dhunshme dhe të armatosura kundër Policisë së Kosovës dhe i mbyllin rrugët e karakterit ndërkombëtar përmes vendosjes së barrikadave të paligjshme”, ka thënë Konjufca duke rikujtuar që “këta eksponentë janë në listën e zezë të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe”.
“Nuk do të lejojmë që brenda territorit të Kosovës,[Aleksandar] Vuçiqi të komandojë përmes këtyre bandave”, ka deklaruar Konjufca.
Në listën e zezë amerikan është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për shkak të dyshimit për përfshirje në krimin ndërkombëtar. Ndërkaq, Britania e ka futur në listën e sanksioneve sa i përket korrupsionit.
Vetë Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - deklaroi se Radoiçiq është "bartës i rezistencës" në veri.
*Video: Bllokimi i rrugëve në veri
I pyetur për veprimet e Prishtinës zyrtare nëse eskalon situata në veri, Konjufca ka thënë se “qëllimi i Serbisë është eskalimi i situatës, mirëpo Kosova është për të kundërtën, pra që të ulen tensionet.
“Tash është radha e Serbisë që të distancohet prej këtyre grupeve, të cilat bëjnë veprime të paligjshme dhe kriminale në pjesën e veriut të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e zëshme në dënimin e këtyre grupeve, të cilat janë drejtpërdrejt nga ana e Beogradit dhe Beogradi këtë gjë nuk po e fsheh".
"Pra, zyrtarë, edhe komunalë edhe policorë, të cilët dhanë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, po flas për veriun e Kosovës, u paraqitën në konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Serbisë - kjo për të treguar se përpjekja e tyre është e organizuar dhe e orkestruar. Pra, nëse doni të thoni se kush është përgjegjëse për këtë që ndodh në atë pjesë të veriut të Kosovës, përgjigjet i keni të qarta, sepse ata këtë as që po e fshehin”, ëshët shprehur Konjufca.
Ai është shprehur se “përgjegjësi e Kosovës, është që ne ta arrijmë sigurinë, implementimin në pjesën e Veriut të Kosovës, po të njëjtën kohë të mos bëjmë kompromis me sundimin e ligjit”.
Kurse, sa i përket raporteve të Kosovës me Maqedoninë e Veriut, Konjufca ka theksuar se të dyja vendet ndajnë qëllime të përbashkëta strategjike dhe gjeopolitike, duke pasur si synim integrimin në BE.
Lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës, nga kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut, kanë thënë se presidenti Stevo Pendarovski, është në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet e sigurisë.
"Si vend anëtar i NATO-s që ka ushtarët e vet në misionin e NATO-s në Kosovë – KFOR, rregullisht bëhen analiza të aspekteve dhe situatave të sigurisë në Kosovë. Në këtë moment, vlerësimi është se nuk ka nevojë për thirrjen e seancës së Këshillit të Sigurimit”, theksohet në përgjigjen e kabinetit të presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski, për Radion Evropa e Lirë.
Xhaferi: Palët të veprojnë në mënyrë racionale
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka theksuar se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të veprojnë në mënyrë racionale lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës.
“Përskaj kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës, garantues i sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara me mandat është përcaktuar NATO-ja, si forcë e cila duhet të sigurojë rendin, qetësinë dhe lirinë e lëvizjes, si dhe funksionimin e shtetit të Republikës së Kosovës. Edhe ne [Maqedonia e Veriut], si anëtare e plotfuqishme e NATO-s, jemi pjesë e kontingjentit të NATO-s në Republikën e Kosovës, dhe për këtë arsye obligimet që burojnë nga mandati i NATO-s duhet të sigurojnë atë që e kanë si mandat nga Rezoluta e OKB-së”, ka theksuar Xhaferi.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një postim në profilin e tij në Facebook, e ka cilësuar si shqetësuese situatën në veri të Kosovës. Ai ka kërkuar që të shmangen veprimet dhe retorika provokuese nga të gjitha palët.
“Rrethana të papranueshme që synojnë destabilizimin dhe dezorientimin tendencioz të mbarë rajonit dhe që duhen ndaluar urgjentisht përmes dialogut dhe racionalitetit. Të shmangen veprimet dhe retorika provokuese, të përforcohet angazhimi për zgjidhjen e kontestit mes të dyja vendeve përmes njohjes së ndërsjellë dhe të shënohet progres i përbashkët në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Grubi.