Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nuk është kompetencë e Bashkimit Evropian që të propozojë draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Drafti që është dorëzuar nga ana e Bashkimi Evropian, ka një parregullsi, sepse kjo nuk është kompetencë e BE-së dhe mendoj që nëse BE-ja nuk e modifikon këtë qëndrim, atëherë po i bie që do që t'ia marrë me zor një kompetencë shtetit të Kosovës”, tha Konjufca të enjten para gazetarëve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën në një intervistë për A2CNN se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mund ta dërgojë draftin në Komisionin e Venedikut.
Draftin e BE-së, Kurti e ka cilësuar “non-paper”.
“Është një ide [dërgimi i draftit nga Lajçak në Komisionin e Venedikut] të cilën edhe unë si kryetar i Kuvendit e mbështes”, tha Konjufca.
Sipas tij, çështja e Asociacionit nuk mund të marrë epilog “për shkak të mënyrës se si është shtruar nga bashkësia ndërkombëtare”.
SHIKONI EDHE: Hovenier: Qeveria e Kosovës të lëvizë përpara me AsociacioninVitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ua prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.
Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parasheh edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
“Nuk mendoj që Kosova ka të drejtë të penalizohet se është vonuar [për draftin e Asociacionit], penalizimet mund të jenë të tjera, penalizim kanë qenë sanksionet, edhe atë e kemi vuajtur ne si Kosovë, çmimet kanë qenë, dhe çmimet i ka paguar Kosova. Por, kompetencën nuk mund të e na marrë BE-ja, për ta propozuar një draft, i cili do të jetë draft zyrtar, dhe që pastaj kalon në Gjykatë Kushtetuese e në instanca të tjera”, tha Konjufca.
SHIKONI EDHE: Gërvalla: Jemi në fazën e zotimit, jo të hartimit të draftit për AsociacioninKosova dështoi të futej në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, i mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ditë para takimit në Strasburg, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Evropës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Por, në letrën e Gërvallës thuhej se draft-statuti do të frymëzohej nga një draft i prezantuar kohë më parë nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.
Megjithatë, Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.