Biden “të përmbushë zotimet” për drejtësi në rastin e vëllezëve Bytyqi dhe Krasniqi-Goodman

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Njëmbëdhjetë kongresistë amerikanë kanë kërkuar nga presidenti, Joe Biden që të përmbushë zotimet e tij lidhur me vendosjen e drejtësisë për rastin e vëllezërve Bytyqi dhe për të viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një letre, kongresistët thanë se presidenti amerikan duhet të kërkojë nga autoritetet në Serbi që të kryejnë hetim të plotë lidhur me vrasjen e shtetasve amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, që u vranë në Serbi.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi. Trupat e tyre u gjetën në Petrovo Selo në Serbinë lindore.

SHIKONI EDHE: Ambasada amerikane i kërkon Serbisë drejtësi për vëllezërit Bytyqi

Sipas kongresistëve, familja Bytyqi “nuk mund të pushojnë derisa drejtësia të vihet në vend dhe keqbërësit për këto krime të mbahen përgjegjës nga Qeveria e Serbisë dhe të marrin dënimin e merituar”.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me këtë familje, e cila ka jetuar për mbi dy dekada pa drejtësi. Ne u bëjmë thirrje që të përmbushni zotimin tuaj dhe të kërkoni përgjigje nga presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq dhe të kërkoni një hetim të plotë për këtë rast, përfshirë edhe për personat në zinxhirin komandues”, thuhet në letrën e kongresistëve amerikanë.

Në letër, po ashtu është përmendur edhe rasti i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Krasniqi-Goodman, që njëherësh është deputete e Kuvendit të Kosovës, është gruaja e parë që publikisht ka treguar se ka qenë e dhunuar nga forcat serbe.

“Ne i bëjmë thirrje administratës Biden që të punojë me Departamentin e Shtetit dhe të sigurohet që drejtësia të vihet në vend për këtë familje dhe për të gjithë të mbijetuarit e krimeve të luftës, përfshirë edhe viktimave të dhunimit dhe formave të tjera të dhunës seksuale”, thuhet në letër.

SHIKONI EDHE: Marsh në Nju Jork për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Vasfije Krasniqi-Goodman tha se është e lumtur që kongresistët po kërkojnë nga presidenti Biden dhe administrata e tij “që të përmbushë premtimin e tij dhe të sjellë drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë”.

Ndryshe, në Kosovë deri më tani është dënuar vetëm një person lidhur me veprën penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në korrik të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me dhjetë vjet burgim ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq.