Kongresi amerikan shmang mbylljen qeveritare

Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Duke i dhënë fund mundësisë për mbyllje qeveritare në Shtetet e Bashkuara, deri në kohën e festave, Kongresi e ka dhënë miratimin final për një paketë financimi për agjencitë federale.

Kështu, ligjvënësit e kanë shtyrë për vitin tjetër debatin për buxhetin federal.

Senati është takuar në mbrëmjen e së mërkurës për ta miratuar projektligjin dhe për ta dërguar për nënshkrim te presidenti amerikan, Joe Biden, një ditë pas miratimit të dhënë edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“Këtë vit nuk do të ketë mbyllje qeveritare”, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, në një konferencë për media, pas miratimit.

Paketa e shpenzimeve i mban në qarkullim fondet qeveritare edhe për dy muaj të tjerë, derisa të finalizohen diskutimet për vitin e ri buxhetor.

Paketa parasheh fonde deri më 19 janar për disa agjenci federale, ndërsa deri më 2 shkurt, për disa të tjera.

Megjithatë, në projektligj nuk është përfshirë kërkesa e Shtëpisë së Bardhë për t’i ndarë 106 miliardë dollarë si ndihmë për Izraelin dhe Ukrainën, si dhe për ndihmë humanitare për palestinezët.

SHIKONI EDHE: Biden: Mbështetja për Izraelin dhe Ukrainën është jetike për sigurinë e SHBA-së

Ligjvënësit pritet të fokusohen më shumë në atë kërkesë pas Ditës së Falënderimeve, festës tradicionale në SHBA, që festohet rreth fundit të nëntorit.