Konfirmohet vdekja e Navalnyt

Lule të vendosura pranë një fotografie të politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, që vdiq në një burg të Siberisë më 16 shkurt 2024.

Familjarë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Aleksei Navalnyt, konfirmuan se politikani opozitar rus ka vdekur në një burg në Siberi dhe kërkuan që autoritetet të dorëzojnë trupin e tij. Por, autoritetet ruse kanë refuzuar këtë kërkesë, duke u thënë avokatëve dhe nënës së tij se po “hetojnë” shkakun e vdekjes dhe se kjo procedurë do të përfundojë javën e ardhshme.

“Avokati i Alekseit dhe nëna e tij arritën në morgun në Salehard”, tha zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, duke iu referuar kryeqytetit të rajonit Jamalo-Nenets, ku gjendej burgu ku po mbahej Navalny.

“Morgu është i mbyllur. Por, burgu i ka siguruar se po punojnë në trupin e tij. Avokati ka thirrur në numrin e telefonit që gjendej te dera. Trupi i Alekseit nuk gjendet në morg”, shtoi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Por, në postimin e tretë, ajo tha se “Komiteti Hetues tani ka thënë se derisa të përfundojë kontrolli, trupi i tij nuk do t’i jepet familjarëve”.

Bashkëpunëtori i Navalnyt, Ivan Zhdanov, që aktualisht jeton jashtë shtetit, tha se nënës së opozitarit rus i është thënë se djali i ka vdekur nga një sëmundje e arrestit kardiak.

“Kur avokati dhe nëna e Alekseit shkuan në burg mëngjesin e sotëm, atyre iu tha se shkaku i vdekjes së Navalnyt ishte sindromi i vdekjes së papritur”, tha Zhdanov.

Paraprakisht, autoritetet e kishin njoftuar nënën e Navalnyt, Lyudmilan, se djali i saj kishte vdekur në burgun që njihej si “Ujku polar” më 16 shkurt në orën 14:17, sipas kohës lokale, tha Yarmish.

Vadim Prokhorov, avokat që përfaqëson aktivistët rusë për të drejtat e njeriut”, i tha Current Time, se “ajo çfarë po ndodh nuk është aksidentale”.

“Autoritetet ruse do të bëjnë gjithçka të që mos ua dorëzojnë me kohë trupin”, tha ai.

Përmes një deklarate, më 16 shkurt një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë deklaroi se e Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.

Një autoambulancë shkoi në tentim për t'i ofruar ndihmë mjekësore, por ai vdiq, u tha në deklaratë.

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus.

Familja e tij dhe as ekipi i Navalnyt nuk konfirmuan menjëherë këtë njoftim, por u bë e ditur se një avokat ishte nisur drejt burgut në Siberi, ku Navalny po vuante një dënim të gjatë.

SHIKONI EDHE:

Profil: Kush ishte udhëheqësi opozitar rus, Aleksei Navalny? Aleksei Navalny, armiku i korrupsionit dhe Kremlinit

Gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih, bashkëshortja e Navalnyt, Yulia, për këtë ngjarje fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin, dhe Qeveria e tij, që sipas saj, duhet të përballen me drejtësinë.

Njoftimi i autoriteteve ruse për vdekjen e Navalnyt nxiti zemërim dhe dënim nga liderët botëror që thanë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit. Presidenti amerikan, Joe bIden, ka bërë përgjegjës Putinin për vdekjen e raportuar të Navalnyt.

SHIKONI EDHE: Yulia Navalnaya: Putini s’do të shpëtojë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e burrit tim

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, ishte mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny ishte shpallur fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e kishte mohuar gjithmonë, dhe ai ishte dënuar me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.