Në COP29, jo të gjitha “protestat” janë të barabarta  

E shoqëruar me një melodi frymëzuese, një video e publikuar në llogarinë zyrtare në X për COP29, Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Baku, shfaqi protestues me mesazhin “COP29 Azerbajxhan është një COP vërtet përfshirës ku dëgjohen të gjitha zërat”. Komentet në këtë postim janë ndalur.

Dy ditë para se të publikohej kjo video, aktivisti për të drejtat e kafshëve, Kamran Mammadli, e kuptoi se disa protesta ishin më të mirëpritura se të tjerat në COP29.

Protesta e Mammadliut më 15 nëntor, kur ai tha se "autoritetet e Azerbajxhanit po qëllojnë me armë qentë në rrugë. Diktatura e Azerbajxhanit po kryen masakra kundër qenve endacakë".

Mammadli hyri në “zonën jeshile” të COP29 më 15 nëntor, dhe më pas nxori një pankartë nga çanta e tij duke kundërshtuar praktikën famëkeqe të Azerbajxhanit të vrasjes së qenve endacakë.

“Arrita të protestoja për dy minuta”, tha Mammadli për Radion Evropa e Lirë. “Pjesëtarët e sigurimit nuk dinin se çfarë të bënin”.

Pasi pjesëtarët e sigurimit pranuan përmes radiolidhjeve urdhra për të vepruar, Mammadli u ndalua.

“Pasi u ndalova mund të dëgjoja zëra që vinin nga radiolidhjet e sigurimit që ishin mbi kokën time. Ata ishin në panik”, tha ai.

Disidenti i njohur në shtetin autoritar, Mammadli tha se “një nga zërat po i qortonte rojet e sigurisë që nuk më përcollën sapo hyra në ambientet e COP29”.

Mammadli duke u larguar nga ambientet e konferencës nga pjesëtarët e sigurimit.

Ky aktivist u tërhoq zvarrë nëpër sallën e shtruar me tapet, pastaj ai tha se u mbyll në një kabinë tualeti për më shumë se një orë së bashku me një pjesëtar të sigurimit, derisa autoritetet vendosën se çfarë të bënin. Më pas ai u lirua, por vëzhguesit e të drejtave të njeriut kanë kërkuar që vëmendja të përqendrohet në atë se çfarë do t’i ndodhë atij më vonë.

Trajtimi i dhunshëm i Mammadlit është në kontrast të madh me mënyrën se si grupe protestuesit të huaj janë trajtuar në COP29.

Protesta të shumta, për çështje nga karburantet fosile e deri te lufta në Gazë, janë lejuar të mbahen brenda “zonës blu” të konferencës, e cila është nën juridiksionin e OKB-së e jo të autoriteteve lokale.

Një protestë, zyrtarisht e ndaluar, duke u mbajtur në COP29 më 15 nëntor 2024.

Zhala Bayramova, e cila ka baba aktivistin Dr. Gubad Ibadoghlu, i cili aktualisht është i burgosur në Azerbajxhan, tha se protestat në COP29 po përdoren si një “mjet” nga Bakuja. Ajo u shpreh se këto protesta janë të verifikuara me kujdes për të parandaluar çdo kritikë të drejtpërdrejtë ndaj Qeverisë azerbajxhanase, ndërkohë që lejojnë që gishtat të drejtohen ndaj shteteve të tjera.

“Azerbajxhani po lejon [protestat] sepse ato nuk po e shënjestrojnë atë”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë. Në disa raste, Bayramova tha se popujt indigjenë që kanë ankesa reale, po shfrytëzohen nga Bakuja. “Ata po e përdorin dhimbjen e tyre si një mjet. Kjo është shumë e dhimbshme”, shtoi ajo.

Vendi ku mbahet COP29 në Baku të Azerbajxhanit.

Për protesta të tjera që kanë shënjestruar konferencën COP29 ka pasur akuza se janë organizuar nga vetë Qeveria e Azerbajxhanit. Kongresisti amerikan, Frank Pallone, (demokrat nga Nju Xhersi) u shty nga një turmë protestuesish dhe gazetarësh të mediave shtetërore, me të mbërritur në aeroportin e Bakusë. Ai u largua nga Azerbajxhani pak kohë pas kësaj ngjarjeje.

Pallone është i njohur gjerësisht për qëndrimet e tij proarmene lidhur me rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut dhe çështje të tjera. Që nga ngjarja e ndodhur në aeroport, Pallone e ka akuzuar Bakun për “organizim të protestave të dhunshme për të më parandaluar mua, [senatorin nga Masaçusets Ed Markey] dhe të tjerë që të marrim pjesë në COP29”.

Aktivistët duke mbajtur një protestë të heshtur brenda vendit ku mbahet COP29 për të kërkuar që shtetet e pasura t'iu ofrojnë ndihmë financiare për klimën shteteve të varfra.

Në konferencat të OKB-së për ndryshimet klimatike ka rregulla të ashpra për pjesëmarrësit dhe në to ndalohen “protestat e paautorizuara”. Regjistrimi për pjesëmarrje në këtë ngjarje u kërkon njerëzve që të jenë të lidhur me organizata dhe OKB-ja ka një pjesë ku përmendet “përgjegjësia” për ata që konsiderohen si shkelës të kodit të sjellës së COP-it. Pasojat potenciale të shkeljes së këtij kodi përfshijnë dërgimin e raporteve nga OKB-ja te punëdhënësit ose organizatat “për veprime të mëtejshme të përshtatshme”.

Sipas Bayramovas, qytetarët e Azerbajxhanit nuk janë lejuar të protestojnë në konferencën në Baku, dhe madje organizata si Amnesty International kanë pasur vështirësi që të marrin leje për protesta. “Amnesty duhej të protestonte sot [19 nëntor] për gjendjen e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe në Azerbajxhan, dhe ata po kanë vështirësi për të marrë dritën jeshile për këtë”.

Për protestuesin Kamran Mammadli, protesta e tij e vetme arriti të tërheqë vëmendjen, si për mirëqenien e kafshëve, ashtu edhe për atë që aktivistët thonë se është një hapje e konferencës. “Dhuna e përdorur kundër protestës time tregon se pretendimi që COP29 po mbahet në një mënyrë përfshirëse është i rremë”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku