Maqedonia e Veriut është radhitur në vendin e 31-të në listën prej 49 vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore, sa i përket respektimit të të drejtave të komunitetit LGBTI, analizë kjo që për një dekadë e bën organizata “ILGA Europe” – “Rainbow Europe”.
Në bazë të kësaj analize, Maqedonia e Veriut gjatë dy viteve të fundit ka ngecur në avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT, duke mbetur në fund të listës së vendeve të rajonit.
Shqipëria ndodhet në vendin e 28-të, Greqia në vendin e 17-të, përderisa Kosova është në vendin e 25-të, e Serbia është radhitur në vendin e 23-të.
Më keq se Maqedonia e Veriut është vetëm Bullgaria, e cila ndodhet në vendin e 40-të.
SHIKONI EDHE: Gjuha homofobike dhe e urrejtjes shënon rritje në Evropë, thotë raportiKoço Andonovski para 17 vjetësh ka folur hapur se i takon komunitetit LGBTI, ndërsa aktualisht është pjesë e qendrës së këtij komuniteti në Shkup. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se fatkeqësia më e madhe është se ndryshimet ligjore për të drejtat e këtij komuniteti bëhen në letër në funksion të detyrimeve që ka marrë vendi që lidhen me procesin e integrimeve dhe jo realisht të përmirësojë statusin aq të ndjeshëm të kësaj pjese të shoqërisë.
“Rreziku i qëndrimit në një vend që më vete paraqet hapërim mbrapsht, ka të bëjë me motivet e atyre që udhëheqin me shtetin, përkatësisht pse nuk angazhohen për zbatimin e rregullativës ligjore që mbron të drejtat e komunitetit LGBTI edhe në praktikë”.
“Ne, ndryshimet në shoqëri për fat të keq nuk i bëjmë për qytetarët, përkatësisht të lehtësojmë jetën e tyre, shmangim sfidat me të cilat ata ballafaqohen, por ndryshimet i bëjmë për shkak të monitorimit nga jashtë, për t’u paraqitur në raportime se ja ne kemi shënuar përparim drejt procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian. Këto pika janë shumë problematike dhe se të tilla vlerësohen”, thotë Andonovski.
SHIKONI EDHE: Shoqëria maqedonase e mbyllur karshi komunitetit LGBTISi më problematike sa i përket avancimit të të drejtave të komunitetit LGBTI në Maqedoninë e Veriut, apostrofohet gjuha e urrejtjes, e cila është më e theksuar në rrjetet sociale, si dhe mungesa e interesimit për të zbatuar rregullativën ligjore që dënon urrejtjen e shfaqur ndaj atyre që pranojnë se kanë një orientim seksual më ndryshe.
Në raport, gjithashtu, theksohet dhe fakti se Maqedonia e Veriut ende nuk ka bërë asgjë për të çuar para legjislacionin për të drejtën e njohjes së personave transgjinorë.
Këto vërejtje janë të përfshira dhe në Raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut, të miratuar nga Parlamenti Evropian ku apostrofohet shqetësimi lidhur me dezinformatat dhe veçanërisht gjuhën diskriminuese kundrejt përfaqësuesve të komunitetit LGBTI.
Jetë nën frikë
Përfaqësuesit e komunitetit LGBTI thonë se jo rrallë janë pre e dhunës, jo vetëm në aspektin verbal, por edhe atë fizik.
Gjatë muajit maj, Bekim Asani, drejtues i organizatës LGBTI Unitend Tetovë, ka kërkuar ndihmë nga autoritetet për shkak të kërcënimeve që kishin arritur në adresë të tij që kishin të bënin me orientimin e tij seksual. Pre e kërcënimeve ishte dhe nëna e tij, pas së cilave Asani është detyruar të largohet nga qyteti i Tetovës.
SHIKONI EDHE: Komuniteti LGBT përballet me "diskriminim të vazhdueshëm"
Edhe Dejan Sllamkov, student, thotë se jo rrallë bëhet pre e sulmeve për shkak të shfaqjes së orientimit të tij seksual në opinion.
“Kur shëtis me partnerin tim shpeshherë kur ne jemi të kapur për dore ose shprehim afërsi emocionale, si një çift i ri i dashuruar, qoftë kjo në park apo ambient tjetër publik, ndodh që të kemi kërcënime nga njerëzit. Krijohen momente shumë të pakëndshme. Unë nuk di se cila është mënyra më e mirë për të reaguar, pasi e di se çfarëdo që t’u them atyre njerëzve, nuk do të mund t’ua ndryshoj mendimin veçse do ta përkeqësoj edhe më shumë situatën. Por, kur nuk u kundërvihem, atëherë ndihem se ua lejoj të tjerëve të udhëheqin me jetën time”, thotë Sllamkov.
“Shtëpi e sigurt” për përfaqësuesit e LGBTI-së
Në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2017 është hapur dhe Qendra për strehimin e përfaqësuesve LGBTI-së të cilët janë pre e dhunës verbale apo asaj fizike.
Ivana Kostovska, punëtore sociale dhe menaxhere e qendrës “Shtëpia e sigurt” thotë se në këtë institucion strehohen të rinjtë, të cilët nuk pranohen nga familja pasi mësojnë për orientimin seksual ndryshe të familjarëve të tyre.
“Prindërit kur kuptojnë për orientimin seksual të fëmijëve dhe nuk i pranojnë si të tillë, u thonë të largohen nga shtëpia. Ne këtu u ofrojmë strehim për një kohë të caktuar”, shpjegon Kostvska.
Ajo shton se mbetet shumë punë për t’u bërë në drejtim të ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për t’i pranuar vlerat ndryshe nga ajo që është mësuar.
Më 25 qershor është paralajmëruar mbajtja e Paradës së Krenarisë, e cila për herë të tretë do të organizohet në Shkup. Përfaqësuesit e komunitetit LGBTI thonë se ky aktivitet i bën të dukshëm pjesëtarët e komunitetit, por mbetet shumë punë që ata të pranohen si pjesë përbërëse e barabartë e shoqërisë.