Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është duke bashkëpunuar me kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, për të organizuar seancat e asambleve komunale, si dhe betimin solemn të kryetarëve, bëri të ditur kreu i kësaj ministrie, Elbert Krasniqi.
Betimi para kuvendit komunal i kryetarit të zgjedhur të komunës është një procedurë solemne që shënon marrjen e detyrës.
Ministri Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se të hënën, më 22 maj, do të jepen të gjitha informacionet se kur dhe ku do të mbahen seancat e asambleve komunale në komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Megjithatë, ai theksoi se ende nuk janë saktësuar lokacionet për mbajtjen e seancave.
SHIKONI EDHE: QUINT-i bën thirrje për zgjidhje demokratike në veri të Kosovës“Ende jo. Jemi në proces e sipër. Ekipet janë duke punuar për t’i definuar të gjitha këto procese”, tha Krasniqi.
Deri më tash, betimin solemn para Kuvendit Komunal e ka bërë vetëm kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 19 maj.
Kryetarët e zgjedhur të tri komunave tjera të veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan, ende nuk e kanë bërë betimin solemn.
SHIKONI EDHE: Betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, nënkryetarja - serbePër dallim nga Zubin Potoku, i cili e ka asamblenë komunale funksionale, dy komunat tjera, Leposaviqi dhe Zveçani ende nuk i kanë të funksionalizuara ato.
Kryetarët e komunave nuk mund ta kryejnë betimin pa funksionalizimin e asambleve komunale, para të cilave solemnisht marrin detyrën.
Ministri Krasniqi nuk ka dhënë detaje se si do të funksionalizohen ato dhe në cilat objekte, si dhe ku do të funksionojë infrastruktura që mundëson punën e institucioneve komunale.
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, ndërkohë që në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.
SHIKONI EDHE:
Petkoviq: Qeveria e Kosovës po provokon luftëLista Serbe kundërshton kryetarët e veriut, i jep ultimatum Qeverisë së KosovësZgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës jnëë mbajtur më 23 prill, pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.
Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që bartnin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, në targat legale RKS – Republika e Kosovës.
Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.