Autoritetet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim në raport me kompaninë ajrore turke “Birlesik Insaat”, e cila, sipas raportimeve zyrtare, kishte gënjyer institucionet e Kosovës rreth qëllimit të fluturimit drejt Turqisë më 29 mars, kur ishin deportuar gjashtë shtetasit turq nga Kosova për në Turqi.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se janë në pritje të përfundimit të hetimeve të Komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës, i cili ende nuk është funksional, në mënyrë që të fillojë procesin e ndërmarrjes së masave ndaj kësaj kompanie ajrore.
Eset Berisha këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e kompanisë turke për të ardhur në Kosovë ka qenë e natyrës komerciale.
“Në momentin kur fillon një proces hetimor që zhvillohet nga Kuvendi i Kosovës, atëherë të gjitha proceset tjera e presin rezultatin e atij Komisioni”, tha Berisha.
“Posa të përfundojë hetimi i cili është duke u zhvilluar nga një komision parlamentar i emëruar nga Kuvendi i Kosovës, atëherë edhe Ministria e Infrastrukturës do të përfundojë procesin e vet në përputhje me Ligjin për Aviacion Publik për të vërtetuar se a është shkelur apo jo leja e cila i është lëshuar në atë ditë caktuar”, theksoi tutje ai.
Por, në fakt, Ministria e Infrastrukturës mund të mos jetë në dijeni që Komisioni hetimor parlamentar nuk është themeluar ende.
*Familjarët e turqve të deportuar kërkojnë azil në Kosovë
Your browser doesn’t support HTML5
Kuvendi i Kosovës më 17 prill, pati miratuar një rezolutë për themelimin e një Komisioni hetimor lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, por ky komision ende nuk është funksional.
Deputeti Zenun Pajaziti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet kompetente nuk kanë nevojë që të presin rezultatin e komisionit hetimor.
“Krijimi i Komisionit hetimor është çështje politike, por rezultatet e këtij komisioni nuk ka nevojë t’i pres (Ministria) që të hetojnë këtë rast”, tha Pajaziti.
Ndërkaq, Eset Berisha nga Ministria e Infrastrukturës, duke specifikuar kërkesën e kompanisë turke, tha se ajo ka qenë kërkesë për fluturim që i takon natyrës komerciale me një person në bord.
Ndonëse e kishte paraqitur si kërkesë komerciale, kompania turke, më 29 mars përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kishte transportuar gjashtë qytetarët turq për në Turqi, duke zbatuar kështu urdhrin për deportimin e tyre.
“Në rast se vërtetohet se në bord të aeroplanit kanë qenë më shumë se një person, në kundërshtim me atë që është kërkuar nga pala kur e ka dorëzuar kërkesën për fluturim, atëherë kemi në dispozicion masat administrative për arsye se është shkelur leja e fluturimit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, nëse vërtetohet përfundimisht se kompania ka mashtruar, atëherë mund të pasojnë masat ndëshkuese të cilat mund të jenë mjaftë të ashpra.
“Masat administrative që janë dispozicion në përputhje me Ligjin për Aviacionin Civil është marrja e licencës, ndalimi i përdorimit të hapësirës ajrore të Kosovës për një periudhë të caktuar si dhe gjoba në shumë deri në një milion euro”, tha Berisha.
Po në lidhje me këtë rast, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, përmes një komunikate për media ka kërkuar nga autoritetet kompetente që të zhvillohen hetimet edhe ndaj drejtueseve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” i cili që nga viti 2010 i është dhënë më koncesion për 20 vite konsorciumit turko-fracez, Limak – Aeroport de Lyon.
Në rast se sigurohen prova, thuhet ndër të tjera në komunikatë, për përfshirjen e tyre në këtë rast që përbën shkelje të rëndë të drejtave të njeriut, konsorciumit të aeroportit Limak – Celik duhet t’i merret leja e punës.
Më 29 mars, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk.
Për këtë deportim, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën deklaruar se nuk kanë qenë të informuar paraprakisht.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë, ndërkaq, i kishin deportuar ata nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fillimisht ua revokuan të njëjtëve të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me inteligjencën turke.