Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën që Bosnje dhe Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor.
Varhelyi foli në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku prezantoi paketën vjetore të zgjerimit të BE-së.
Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe migracionin.
SHIKONI EDHE: KE: Ballkani Perëndimor me përparime dhe dështimeParaprakisht, Kolegji i Komisionarëve Evropianë miratoi paketën vjetore të zgjerimit, ashtu si edhe raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.
Në paketën e zgjerimit, Komisioni Evropian vë fokusin në fushat që lidhen me procesin e integrimeve evropiane, siç janë: sundimi i ligjit, reformat e administratës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Vend të veçantë zënë, po ashtu, ndikimet e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Paketa përmban edhe raportime për implementimin e planit evropian për investime në rajon, pastaj për situatën në sektorin e energjisë, për agjendën e gjelbër evropiane, për planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe për përshtatjen e këtyre vendeve me politikat e BE-së, sidomos në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Kosova, në këtë raport, vlerësohet për disa përparime që ka bërë në fusha të ndryshme, por prej saj kërkohet më shumë punë dhe progres në zbatimin e reformave.
SHIKONI EDHE: KE me vlerësime dhe kritika për KosovënKosova, po ashtu, vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Në raport theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.
Gjatë fjalimit, edhe Varhelyi tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
SHIKONI EDHE: Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetorSa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti kujton se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmend edhe takimin më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.
Nga të dyja vendet kërkohet që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog, ndërsa u kërkohet edhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.
Serbisë i adresohen kritika për zvogëlimin e përafrimit të qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në rastin e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Serbia vazhdon t’i refuzojë.
Në raport përmenden edhe disa shifra, sipas të cilave, Serbia, në vitin 2021, i ka përshtatur në nivelin prej 64% qëndrimet e saj me ato të BE-së, ndërsa në gusht të këtij viti ka rënë në 45%.
Raporti thekson se Serbia “me një numër deklaratash dhe veprimesh ka dalë kundër BE-së” në politikën e jashtme.
Në paketën e zgjerimit konstatohet, po ashtu, se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që, më shumë se kurrë, të ndihet nevoja e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
SHIKONI EDHE: NATO: Rusia thellon ndarjet dhe konfliktet në Ballkanin PerëndimorKomisioni Evropian miraton çdo vit paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.
Më së shumti përparim ka shënuar Mali i Zi, i cili i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.
Serbia pason si shtet që është në procesin e negociatave, por këtë vit nuk ka hapur, deri më tash, asnjë kapitull të ri.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat në korrik, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka kohë që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe tash është në pritje të vendimit përfundimtar për statusin e vendit kandidat.
Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.
SHIKONI EDHE: Kosova në BE “më 2050”? Vendimmarrësit më optimistë