Komisioni Evropian do t’ia ndajë Ukrainës një hua të re në vlerë deri në 39 miliardë dollarë, njoftoi presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen gjatë, një vizite në Kiev më 20 shtator.
Ajo e cilësoi këtë hua si “një kontribut tjetër e madhe e BE-së për rimëkëmbjen e Ukrainës”.
“Sulmet e pareshtura ruse nënkuptojnë se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së”, shkroi ajo në rrjetin social X.
Duke folur në një konferencë për media me von der Leyen, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “plani për fitore” i vendit të tij në luftën kundër Rusisë varet nga vendimet e shpejta që aleatët duhet t’i marrin sivjet.
Zelensky tha se Ukraina synon t’i përdorë këto të holla për mbrojtjen ajrore, energjinë dhe për blerjen e armëve.
Huaja është pjesë e një plani të gjerë të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) për grumbullimin e të hollave për ta mbështetur Kievin duke i përdorur mjetet nga asetet e ngrira financiare të Rusisë në vlerë 300 miliardë dollarë.
SHIKONI EDHE: BE-ja do t’ia transferojë Ukrainës 1.5 miliard euro nga të ardhurat prej aseteve të ngrira ruseKëto asete u ngrinë në kuadër të sanksioneve kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës.
Vizita e Von der Leyen në kryeqytetin ukrainas vjen një ditë pasi ajo njoftoi se BE-ja do t’ia japë Ukrainës edhe 178 milionë dollarë për ta riparuar infrastrukturën e dëmtuar të energjisë, ta zgjerojë energjisë e ripërtëritshme dhe të ndërtojë strehimore.
Para takimit me Zelenskyn, ajo tha se ndodhej në Kiev për të biseduar për mbështetjen e Evropës për Ukrainën “nga përgatitjet për dimër deri te mbrojtja, anëtarësimi dhe përparimi drejt huave prej G7”.
Në fillim të kësaj jave, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) paralajmëroi se ky dimër mund të jetë më i vështiri për Ukrainën deri tani, sepse infrastruktura energjetike e saj është tejet e tendosur si pasojë e sulmeve ruse ndaj termocentraleve, ngrohtoreve dhe rrjetit energjetik.
Forcat ajrore ukrainase thanë më 20 shtator se kundërajrorët e tyre i shkatërruan 61 prej 70 dronëve dhe një prej katër raketave me të cilat Moska e sulmoi Ukrainën gjatë natës.