Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, ka njoftuar të mërkurën se seancat dëgjimore për kandidatët për anëtarë të Komisionit Evropian (KE) do të zhvillohet nga 4 deri më 12 nëntor, duke bërë që të shtyhet fillimi i mandatit të ri të këtij komisioni.
Ky është vendimi i konferencës së presidentëve në Parlamentin Evropian, ku marrin pjesë shefat e grupimeve partiake.
Ky vendim i PE-së e bën të pamundur zbatimin e planit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që mandatin e dytë ta nisë më 1 nëntor, pas zgjedhjeve të qershorit në bllokun evropian.
SHIKONI EDHE: Von der Leyen në prag të ndarjes së posteve për komisionarët e rinjTani, data më e mundshme për nisjen e punës së Komisionit Evropian flitet të jetë 1 dhjetori i këtij viti. Edhe kjo datë është e mundshme vetëm me kusht që asnjë nga kandidatët të mos refuzohet nga komitetet përkatëse i PE-së.
Nga kandidatët që do të dëgjohen dhe për të cilët do të votohet në Parlamentin Evropian, për Kosovën dhe rajonin më të rëndësishmit janë Kaja Kallas - e cila do të jetë përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe siguri - dhe Marta Kos, e cila është emëruar të jetë komisionare për zgjerim.
Të dyja këto kandidate do të dëgjohen dhe votohen në komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.
SHIKONI EDHE: Kush është Kaja Kallas, gruaja që pritet ta zëvendësojë Borrellin?Shumë diplomatë dhe parlamentarë në Bruksel edhe më herët ishin shprehur se data 1 nëntor për nisjen e mandatit të ri të KE-së, që e ka përmendur Von der Leyen, ka qenë joreale dhe se ajo e kishte përmendur këtë datë "për të bërë presion" ndaj Parlamentit Evropian.
Kur të gjithë kandidatët ta marrin pëlqimin e komisioneve parlamentare, atëherë Parlamenti Evropian voton në një seancë plenare për tërë Komisionin Evropian.
Në rast se ndonjë nga kandidatët nuk e merr pëlqimin, atëherë vendi nga i cili vjen duhet ta dërgojë një kandidat tjetër, i cili prapë duhet të kalojë tërë procedurën e miratimit.
Kjo do të shkaktonte vonesa të reja. Prandaj edhe 1 dhjetori si datë për nisjen e mandatit duket mjaft ambicioz, por jo edhe i pamundur.