Kuvendi voton për formimin e dy komisioneve hetimore për energjinë

Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e dy komisioneve hetimore për energjinë elektrike gjatë seancës së 5 majit, gjatë së cilës pati debate të ashpra.

Një komision hetimor është iniciuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe i njëjti do të kryesohet nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Ndërkaq, komisioni hetimor i iniciuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do të udhëhiqet nga deputeti Hajdar Beqaj i PDK-së.

Komisioni hetimor i propozuar nga opozita mëton që të hetojë të gjitha masat e ndërmarra gjatë periudhës së gjendjes emergjente për energjinë, që Kuvendi kishte votuar për të shpallur vitin e kaluar.

Ndër masat e ndërmarra në periudhën e gjendjes emergjente ishin: vendosja e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosja e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. Si pasojë e krizës energjetike, Kosova u përball me shtrenjtim të rrymës.

SHIKONI EDHE: Kriza energjetike "nuk zgjidhet me komisione hetimore"

Ndërkaq, komisioni hetimor i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022. Këtu përfshihet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës pas privatizimit të distribucionit në këtë kompani.

Qe disa javë, pushteti dhe partitë opozitare janë përplasur rreth formimit të komisionit hetimor për energjinë, teksa opozita ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e pengonte atë që ta formonte një komision të tillë.

Debati për energjinë elektrike në Kosovë ka nisur që nga fundi i vitit të kaluar, kur Kosova u përball me reduktime të rrymës, për shkak të një krize globale të energjisë. Situata më pas u përkeqësua, për shkak se Kosova nuk mund të mbulonte nevojat e saj me kapacitetet prodhuese të KEK-ut.

KEK në atë periudhë prodhonte deri në 600 megavatë rrymë në orë, ndërkaq konsumi kishte arritur derë në 1,400 megavatë.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, komisionet hetimore themelohen për të hetuar probleme, çështje ku janë drejtpërsëdrejti të përfshira përgjegjësitë qeveritare apo shtetërore. Këto organe po ashtu ngrihen me qëllim të konstatimit, përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve apo me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur dhe përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të përfshirë.

Sipas Ligjit për hetim parlamentar, komisionet hetimore kanë qëllim edhe për informim, rekomandim dhe ushtrim të mbikëqyrjes parlamentare dhe të arritjes së një përfundimi.