UEFA, shtëpia e futbollit evropian, ka njoftuar se ka iniciuar procedura disiplinore ndaj Federatës së Kosovës dhe asaj të Rumanisë, raporton Reuters, pasi më 15 nëntor futbollistët kosovarë braktisën ndeshjen në Bukuresht, duke u ankuar për thirrje raciste nga tifozët rumunë.
Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar më 16 nëntor se do të dorëzojë ankesë në UEFA për, siç tha, "provokimet dhe sjelljet raciste" të tifozëve rumunë gjatë ndeshjes në Bukuresht, teksa Kombëtarja rumune e Futbollit ka falënderuar tifozët e saj që ishin të pranishëm gjatë ndeshjes kundër Kosovës.
“Kombëtarja rumune në Futboll dëshiron t’i falënderojë ata që ishin prezentë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për sjelljen e tyre në ndeshjen me Kosovën, një ndeshje që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve jo vetëm pse zgjati tri orë, por po ashtu si një shembull i unitetit dhe solidaritetit”, u tha në reagimin e Kombëtares rumune më 16 nëntor.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, që u braktis në minutën e 92-të, u zhvillua në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu, Kombëtarja rumune tha se falënderon tifozët për "inkurajimin e dhënë dhe për mirëkuptimin e qëllimit të përbashkët në këtë ndeshje. Trikolorët po ashtu vlerësojnë faktin që tifozët ia dolën aq sa mundën që të mos iu përgjigjeshin sfidave që vinin nga mysafirët tanë”.
Ndërkaq, policia rumune tha se 13 tifozë u gjobitën pas ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, teksa nëntë të tjerëve iu ndalua hyrja në stadiume për një vit. Autoritetet thanë se po vazhdojnë kontrollet për të identifikuar personat që shkelën ligjet, përkatësisht për përdorimin e lëndëve plasëse dhe dhunës gjatë garave sportive.
FFK paralajmëron ankesë në UEFA
Më 16 nëntor, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se dënon ashpër “provokimet dhe sjelljet raciste” gjatë ndeshjes të së premtes mbrëma.
“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, u tha në reagim.
FFK tha se më shumë se dy herë ka paralajmëruar me shkrim organet e UEFA-s për veprime të tilla, madje disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta para fillimit të sa në Bukuresht.
“Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit”, u tha në reagim.
FFK tha se përveç asaj që ndodhi në fushën e gjelbër, gjatë konferencës për media të Kombëtares së Kosovës pas ndeshjes, një zyrtar rumun kishte hyrë në konferencë dhe kishte larguar gazetarët, duke shtuar se ky zyrtar “kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit”.
“Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet te delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”, tha FFK, duke shtuar se beson që UEFA do të veprojë në bazë të vlerave të saj dhe do të dënojë ashpër “gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje”.
Me lojtarët e Kosovës është takuar të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “për t'i përgëzuar për lojën e bukur e dominuese kundër Rumanisë, dhe për të shprehur solidaritetin e plotë me qëndrimin parimor, të drejtë e të dobishëm edhe për Kosovën edhe për futbollin”, shkroi ai në Facebook.
Lidhur me atë që ndodhi në Bukuresht ka reaguar edhe ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku.
Ai tha se dënon çdo formë “të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit tonë” duke kërkuar që institucionet ndërkombëtare të futbollit të ndërmarrin masa.
“Sërish mesazhe politike e brohoritje provokuese nga tifozëria rumune. Qëndrojmë prapa djemve të Kosovës. Ngjarja e djeshme shkel thellësisht vlerat e sportit, i cili duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes”, shkroi ai në Facebook.
Çfarë ndodhi në Bukuresht?
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tha se kishte thirrje "Serbia, Serbia" dhe "Kosova është Serbi", nga tifozët vendës, dhe se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes "së paku tri herë" para se ekipi kosovar ta braktiste fushën.
Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.
SHIKONI EDHE: Braktiset ndeshja Rumani-Kosovë, pasi lojtarët e Kosovës lëshojnë fushën për shkak të "racizmit"Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.
Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.
Tani, UEFA pritet të hapë procedurë disiplinore për këtë ndeshje, që mund t’i kushtojë Kosovës me humbjen e saj me rezultat zyrtar për mospranimin për t’u kthyer në fushë.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja ndërpritet për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.
Atëbotë, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë "Kosova është Serbi", para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës.
SHIKONI EDHE: Çfarë dihet për grupin e tifozëve që qëndron prapa incidentit në Bukuresht?Rumania dhe Kosova po përballeshin në një ndeshje të rundit të pestë në Grupin C të Ligës C – kategorinë e parafundit në Ligën e Kombeve.
Rumania është lidere e grupit me 12 pikë dhe i nevojitej vetëm një barazim me Kosovën për ta siguruar promovimin në Ligën B.
Ndërkohë, Kosova, që ka 9 pikë, synonte ta mposhte Rumaninë të premten, më 15 nëntor, dhe të fitonte ndeshjen e fundit në grup kundër Lituanisë në Prishtinë dhe të shpresonte që Rumania të ndalej së paku me një barazim nga Qiproja për të pasur mundësi ta fitojë grupin.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.