Kolonët izraelitë djegin shtëpi e vetura në një fshat palestinez në Bregun Perëndimor

Një burrë qëndron pranë veturave të tij të djegura pas një sulmi të kolonëve izraelitë në fshatin Jit, në Bregun e uzurpuar Perëndimor, 16 gusht 2024.

Dhjetëra kolonë izraelitë e kanë sulmuar një fshat palestinez në Bregun e uzurpuar Perëndimor, duke djegur shtëpi dhe vetura.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një banor i fshatit, në të 20-at, u vra dhe një tjetër u plagos rëndë gjatë sulmit.

Kolonët – disa prej të cilëve të maskuar – e sulmuan fshatin Jit me koktej molotovi dhe me gurë të enjten në mbrëmje, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

IDF-ja tha gjithashtu se është duke i hetuar raportimet për vrasjen dhe plagosjen.

Liderët politikë të Izraelit e kanë dënuar sulmin, duke u zotuar se do t’i ndëshkojnë përgjegjësit.

Pamje të publikuar në rrjetet sociale shfaqën vetura dhe shtëpi duke u djegur pas sulmit.

Një burrë kontrollon dëmet në shtëpinë e vet, një ditë pasi kolonët izraelitë e sulmuan fshatin Jit në Bregun e uzurpuar Perëndimor, 16 gusht 2024.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten vonë se sulmet e kolonëve kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor janë “të papranueshme dhe duhet të ndalen patjetër”.

“Autoritetet izraelite duhet patjetër të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur të gjitha komunitetet kundër dëmeve, përfshirë edhe ndaljen e një dhune të tillë, si dhe t’i bëjnë përgjegjësit të japin llogari”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Ushtria izraelite tha se njësitë policore dhe ushtarake ndërhynë dhe e arrestuan një shtetas izraelit. Ajo e dënoi sulmin, për të cilin tha se i shpërqendroi forcat e sigurisë nga detyrat e tjera.

SHIKONI EDHE: BE: Izraeli ka bërë zgjerimin më i madh në dekada të vendbanimeve në Bregun Perëndimor

Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu tha në një komunikatë për media se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Përgjegjësit e çdo shkelje do të kapen dhe do të gjykohen”, tha ajo.

Palestinezët i akuzojnë vazhdimisht forcat izraelite se qëndrojnë duarkryq dhe i lejojnë grupet e kolonëve të dhunshëm të kryejnë sulme në shtëpitë dhe fshatrat e tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh evropiane kanë vendosur sanksione ndaj kolonëve të dhunshëm dhe i kanë bërë thirrje vazhdimisht Izraelit të bëjë më shumë për t’i parandaluar këto sulme.