Opozita maqedonase dhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka arritur koalicion parazgjedhor për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptare dhe Alternative e kanë quajtur historike marrëveshjen e arritur për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet lokale, kundër siç kanë thënë, “krimit dhe korrupsioni të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)”.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha më 28 gusht se “ky koalicion do të mposhtë partitë në pushtet që kanë shkatërruar vendin gjatë qeverisjes së tyre kriminale”.
“Pres që ky koalicion të kapërcejë ndarjet, pashpresën, krimin, korrupsionin, mungesën e ideve, paaftësinë dhe mungesën e vizionit dhe strategjisë për zhvillimin e Maqedonisë. Është një moment historik për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike për të treguar se Maqedonia vërtet ka mundësi me politikanët e tjerë që janë jashtë matricës së LSDM-së dhe BDI-së”, tha Mickovski.
SHIKONI EDHE: Shkup: Opozita akuzon pushtetin për presion ndaj votuesveKoalicioni parazgjedhor mes VMRO DPMNE-së me opozitën shqiptare shënon koalicionin e parë të saj parazgjedhor me partitë shqiptare.
Ajo ka bërë koalicioni me partitë shqiptare, por vetëm pas zgjedhjeve edhe atë për formimin e qeverisë.
Për dallim nga VMRO-ja, partia tjetër maqedonase në pushtet LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev, në zgjedhjet e fundit lokale ishte në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) që drejtohet nga Ali Ahmeti.
Këto parti edhe në zgjedhjet e tetorit kanë bërë koalicion për në rrethin e dytë, kur do të mbështesin njëra-tjetrën.
Koalicioni mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase nga LSDM-ja është vlerësuar si “koalicion i frikës”.
“I ballafaquar me humbjen e shtatë me radhë nga populli, Mickovski është aq i frikësuar sa që promovon koalicion me njerëzit që i quajti tradhtarë, me ata që sipas VMRO-DPMNE-së nuk e njohin identitetin maqedonas”, thuhet në komunikatën e LSDM-së e cila kujton edhe ngjarjet e dhunshme në kuvend më 27 prill 2017, kur anëtarët e VMRO-së kishin sulmuar fizikisht Zijadin Selën e Aleancës për Shqiptarët.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar duke e quajtur “koalicion për interesa personale”.
BDI-ja, para koalicionit me LSDM-së ishte për gati dhjetë vjet në koalicion më VMRO-DPMNE-n, që udhëhiqej nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.
Nga Aleanca për Shqiptarët kanë thënë se reagimi i BDI-së ka të bëjë me “shqetësimin e saj për humbjen e partnerit të saj të dikurshëm dhe humbjen që e pret në zgjedhjet lokale në tetor”.