Klubi i natës që u rrënua nga zjarri vdekjeprurës ishte urdhëruar të mbyllej më 2022

Klubi i natës i rrënuar nga zjarri në Murcia, Spanjë, 1 tetor 2023.

Një klub nate në Spanjë, i cili u rrënua nga një zjarr gjatë fundjavës duke i vrarë 13 njerëz, ishte urdhëruar të mbyllje në vitin 2022, njoftuan autoritetet spanjolle të hënën.

Zjarri - i cila u ndez të dielën herët në mëngjes në një ndërtesë ku ishin të vendosura klubet e natës Fonda Milagros dhe Theatre në periferi të Murcias - është më vdekjeprurësi në një klub nate në tri dekadat e fundit në Spanjë.

SHIKONI EDHE: Së paku 13 të vdekur nga zjarri në një klub nate në Spanjë

Këshilli i Qytetit i Mucias e kishte urdhëruar në janar 2022 mbylljen e klubeve të natës për shkak se kompania e cila operonte me to kishte licencë vetëm për njërin prej tyre - Teatre - dhe jo për Fondan, i cili ishte krijuar më vonë, tha nënkryetari i qytetit, Antonio Navarro.

Navarro tha se autoritetet do ta gjejnë kush është përgjegjës, pa shpjeguar pse klubet e natës po punonin pa licencë.

Policia dyshon se zjarri shpërtheu në klubin e natës Fonda dhe pastaj u shpërnda në Teatre dhe në klubin e tretë të natës në ndërtesën e quajtur Golden.

“Të vdekurit ishin të gjithë në një zonë të vogël në klubin Fonda”, tha zëdhënësi i Policisë, Diego Seral, duke shtuar se në atë kohë po mbahej një ditëlindje në atë klub.

Zjarrfikësit duke e luftuar zjarrin në një klub nate në Murcia, Spanjë, 1 tetor 2023.

Të gjithë njerëzit e raportuar të zhdukur janë gjetur, përfshirë tre personat që kishin shkuar në plazh dhe i kishin fikur telefonat mobilë, thanë zyrtarët.

Viktimat ishin nga Kolumbia, Ekuadori dhe Nikaragua, si dhe nga Spanja.

Policia tha se tri nga viktimat u identifikuan përmes shenjave të gishtave. Pjesa e mbetur e trupave duhet të identifikohen përmes mostrave të ADN-së.

“Jemi të shkatërruar, të tronditur”, tha kryetari i qeverisë rajonale të Murcias, Fernando Lopez Miras.

“Asgjë që themi ne nuk mund t’i ngushëllojë të afërmit dhe miqtë e viktimave. Kemi mbetur pa fjalë”, shtoi ai.

Ky ishte zjarri më tragjik në klub nate që nga viti 1990, kur 43 njerëz vdiqën si pasojë e zjarrit në një disko në Zaragoza.

Zjarri më vdekjeprurës në klub nate në Spanjë ndodhi në dhjetor 1983, kur 81 persona u vranë në një zjarr në Madrid. Tymi, dështimi i sistemit të ndriçimit dhe mbyllja e derës së daljes emergjente kontribuuan në këtë fatkeqësi.