Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka anuluar vendimin e 21 qershorit, me të cilin anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
Ky vendim i ARBK-së rikthen në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat.
Klan Kosova ka reaguar duke shprehur “habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta kthejë ligjshmërinë në këtë çështje”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një njoftimi në Facebook, tha se e ka pranuar me shqetësim lajmin për anulimin vendimit të mëparshëm nga ARBK-ja.
“AGK-ja rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
SHIKONI EDHE: AGK: ARBK ka shfuqizuar vendimin për Klan KosovënMë 14 qershor, ARBK-ja, pas një kallëzimi penal që ngriti Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj shoqërisë tregtare Klan Kosova, anuloi certifikatën e saj të biznesit.
Pas këtij vendimi, më 21 qershor, ARBK-ja shfuqizoi vendimin që mori më 14 qershor.
Juristja e së drejtës së medias në Prishtinë, Flutura Kusari, tha se vendimi është politik, dhe si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm.
“Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova”, ka shkruar Kusari në rrjetin social Facebbok.
Kallëzimi penal ndaj ndaj shoqërisë tregtare Klan Kosova u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia”.
Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.
AGK-ja ka bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.
Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.