Kanë kaluar gjashtë javë prej kur mjekët kirurgë në Kosovë janë në grevë. Greva ka ndikuar që brenda ditës të anulohen deri në 200 operacione, përderisa rastet urgjente vazhdojnë të trajtohen me kryerjen e rreth 50 operacioneve brenda 24 orëve.
Arbër Morina, kirurg, njëherësh përfaqësues i Kolegjiumit të Kirurgëve, i tha Radios Evropa e Lirë se ndonëse shumë operacione joemergjente po anulohen, këto që janë kërcënuese për jetën e pacientëve po kryhen pavarësisht grevës.
“Kërkesa jonë është rregullimi i koeficientit të pagave të specialistëve të Republikës së Kosovës. Gabimi është se për shëndetësinë e Kosovës asnjëherë nuk kanë vendosur ekspertë që janë të thirrur për këtë çështje. Njëzet vjet pas luftës po përsëriten gabimet. Fakti që dikush tjetër po vendos për koeficient për mjekët është një fakt i gabuar dhe nuk mund të kalojë. Derisa ne mjekët specialistë nuk konsultohemi për këtë ligj, ai është i gabueshëm”, tha Morina.
Ngjashëm me disa sektorë tjerë publik nëpër të cilët punonjësit po kërkojnë rritje të pagave, edhe kërkesa e kirurgëve është rritja e pagave përmes miratimit të Projektligjit për pagat, i cili aktualisht është në procedurë të miratimit në Kuvendin e Kosovës.
Federata Sindikale e Shëndetësisë ka organizuar grevë me 26 dhjetor e cila kishte zgjatur 72 orë dhe më pas ishte ndërprerë, duke i dhënë mundësi dialogut social me Qeverinë e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Mjekët paralajmërojnë kolaps nëse nuk u rriten pagatMegjithëkëtë, kirurgët thonë se nuk janë përfaqësuar denjësisht prej kësaj Sindikate, andaj ata kanë vazhduar grevën, duke mos përfillur sindikatën.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se ai përfaqëson 14 mijë punëtorë shëndetësorë dhe se për grevën e kirurgëve nuk merr asnjë përgjegjësi, meqë nuk kanë pasur asnjë takim lidhur me këtë çështje.
“Ne në sektorin e shëndetësisë të gjithë jemi duke punuar. Nuk po e di as çka të them. Ata nuk kërkojnë ndihmë nga Sindikata. Na kanë përjashtuar nga greva Sindikatën tonë. Ne me Qeverinë e kemi kryer punën. Ende zyrtarisht nuk e di se në çfarë kategorie janë ranguar mjekët specialistë, megjithatë për kirurgët nuk kam koment. E kanë marrë guximin, po e bojkotojnë punën”, tha Syla.
Sipas tij, kirurgët po e dëshirojnë pagën e prokurorëve, dhe koeficientin 10, çka nënvizoi ai, është e pamundur të realizohet.
SHIKONI EDHE: Mantelbardhët të pakënaqur me koeficientin e ri të pagësNë anën tjetër, Morina tha se për shëndetësinë e Kosovës, nuk kanë vendosur asnjëherë ekspertët që janë të thirrur për këtë punë.
Andaj, siç tha ai, mjekët specialistë të Kosovës po kërkojnë që të rregullohet koeficienti dhe si krahasim ata kanë marrë kryeprokurorët e shtetit, të cilët janë ranguar në koeficientin 10. Aktualisht mjekët janë të ranguar në koeficientin 3.5.
”Ne kirurgët kemi deklaruar qysh vitin e kaluar se jemi të distancuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë për vetë faktin se Sindikata asnjëherë deri më sot nuk na ka përfaqësuar me dinjitet dhe se kërkesat e tyre kanë qenë të lajthitura dhe nuk kanë shkuar deri në fund. Andaj, ne kirurgët dhe mjekët specialistë kemi vendosur ta marrim situatën në duart tona dhe kërkesat tona t'i artikulojmë ashtu si duhet në respektim me ligjin”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Projektligji që mund t’i ‘qetësojë’ punëtorëtNdërsa, kërkesat për rritje pagash po vazhdojnë, Ligji për pagat pritet të përcaktojë koeficientin e pagës edhe për mjekët, infermierët dhe kategoritë tjera në shëndetësi. Aktualisht, për punën që kryejnë, mjekët specialistë paguhen me rreth 600 euro në muaj.