Kirby: Izraeli do t’i marrë parasysh shqetësimet e SHBA-së para ndonjë ofensive në Rafah

Ushtarë izraelitë në Rripin e Gazës, prill 2024.

Izraeli është pajtuar që t’i marrë parasysh shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, para se ta nisë çfarëdo pushtimi të qytetit kufitar të Rripit të Gazës, Rafah, tha të dielën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.

Kirby tha gjithashtu se Izraeli ka filluar t’i përmbushë zotimet që ia ka dhënë presidentit amerikan, Joe Biden, për të lejuar futjen e më shumë ndihmave humanitare në veri të Gazës.

Izraeli i ka rritur sulmet në Rafah në javën e fundit dhe ka kohë që kërcënon se do ta pushtojë atë për t’i shkatërruar batalionet e mbetura të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

SHIKONI EDHE: Pse Izraeli është kaq i vendosur që të nisë ofensivën në Rafah?

Të shtunën në mëngjesin u vranë gjashtë njerëz, përfshirë katër fëmijë, nga një sulm ajror izraelit në Rafah, thanë zyrtarët e një spitali lokal.

Vendet perëndimore, përfshirë edhe aleaten e vet kryesore SHBA-në, i kanë bërë thirrje Izraelit të mos e pushtojë Rafahun, ku më shumë se gjysma e popullsisë e Gazës prej 2.3 milionë banorësh ka kërkuar strehim nga luftimet në pjesët e tjera të territorit.

Të dielën më herët, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta ndalin Izraelin nga kryerja e një ofensive ushtarake Rafah.

“Ne u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i kërkojnë Izraelit të mos e kryejë sulmin në Rafah. Amerika është vendi i vetëm që është në gjendje ta parandalojë Izraelin nga kryerja e këtij krimi”, tha Abbas gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror në Riad të Arabisë Saudite.

SHIKONI EDHE: Mahmoud Abbas: Vetëm SHBA-ja mund ta ndalë ofensivën e Izraelit në Rafah

Një sulm izraelit në Rafah do të shkaktonte katastrofë për civilët, jo vetëm në Gazë, por në mbarë Lindjen e Mesme, tha më 26 prill kreu i grupit të ndihmës, Këshilli Norvegjez për Refugjatë, Jan Egeland.

Egeland tha për agjencinë Reuters se 1.3 milion civilë që po strehohen në Rafah – përfshirë edhe pjesën e stafit të Këshillit Norvegjez për Refugjatë – po jetojnë “në frikë të jashtëzakonshme” nga një ofensivë e mundshme izraelite.

Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij një sulmi në jug të Izraelit.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.