Rritet numri i viktimave nga rrëshqitjet e dheut në Kinë

Vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut në Kinë në qershor të këtij viti.

Numri i viktimave nga rrëshqitjet e dheut, që u shkaktuan nga shirat e rrëmbyeshëm në veri të Kinës, është rritur në të paktën 21, thanë autoritetet më 13 gusht.

Edhe gjashtë persona konsiderohen ende të zhdukur, raportoi byroja për emergjenca e Kinës.

Reshjet e shiut në fshatin malor të Veizipingut, në provincën Shanxi, shkaktuan rrëshqitje të mëdha të dheut të premten, duke shkatërruar shtëpi, rrugë dhe ura.

SHIKONI EDHE: Rritet në 30 numri i të vdekurve nga vërshimet në Kinë

Radioja shtetërore më herët raportoi se në këtë zonë është ndërprerë edhe energjia elektrike.

Qindra ushtarë dhe zjarrfikës janë mobilizuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Javëve të fundit, Kina është përballur me vërshim vdekjeprurëse, përderisa dhjetëra persona kanë vdekur gjatë stuhive që kanë goditur pjesën veriore të shtetit.