Kinë: 11 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur nga vërshimet

Vetura pothuajse të mbuluara nga uji në rrugë, pas vërshimeve në Kinë, korrik 2023.

Mediat shtetërore kineze raportuan se 11 persona kanë vdekur dhe 27 të tjerë janë zhdukur gjatë vërshimeve nga bjeshkët që rrethojnë kryeqytetin Pekin.

Reshjet e shiut për disa ditë me radhë i kanë detyruar autoritetet t’i mbyllin stacionet e trenit, t’i largojnë banorët nga zonat e cenueshme dhe t’i vendosin nëpër shkolla, raportoi transmetuesi CCTV të martën.

Shtëpitë janë vërshuar, rrugët janë rrënuar dhe veturat janë rrotulluar.

Your browser doesn’t support HTML5

Verë përmbytjesh ekstreme nëpër botë

Një shi kaq i madh është i pazakonshëm për Pekinin, i cili zakonisht gëzon klimë të butë dhe thatë. Vërshimet në pjesët e tjera të Kinës veriore, që rrallë herë ndodhin të jenë kaq të mëdha, kanë bërë që shumë njerëz ta humbin jetën.

Vërshimet sezonale godasin pjesë të mëdha të Kinës çdo vit, posaçërisht jugun.

Megjithatë, disa rajone në veri kanë raportuar se këtë verë janë prekur nga vërshimet më të këqija në 50 vjetët e fundit.

Në fillim të korrikut, të paktën 15 persona humbën jetën nga vërshimet në rajonin jugperëndimor, Chongqing, dhe rreth 5.590 njerëz u detyruan të evakuohen nga provinca veriperëndimore, Liaoning.

Lexoni edhe këtë: Valët e të nxehtit nuk kanë mbaruar

Në provincën qendrore, Hubei, stuhitë e shiut i kanë ngujuar banorët në veturat dhe shtëpitë e tyre.

Vërshimet më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese që e kanë goditur Kinën në kohët e fundit, ndodhën në vitin 1998, kur 4.150 njerëz vdiqën, shumica e tyre përgjatë lumit Yangtze.

Në vitin 2021, më shumë se 300 njerëz vdiqën në vërshime në provincën qendrore, Henan.