Kina i kundërpërgjigjet me sanksione SHBA-së për shkak të Tajvanit

Flamuri i Kinës dhe i SHBA-së të vendosur në hyrje të një kompanie në Pekin. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kina ka vendosur sanksione ndaj pesë kompanive amerikane të fushës së mbrojtjes, në përgjigje të shitjes së armëve nga Shtetet e Bashkuara në Tajvan dhe të sanksioneve amerikane ndaj kompanive dhe individëve kinezë.

Sanksionet do të ngrijnë çdo pronë që kompanitë e sanksionuara kanë në Kinë dhe do t’ua pamundësojnë organizatave dhe individëve në Kinë që të bëjnë biznes me entitetet e sanksionuara, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze të lëshuar më 7 janar.

Është e paqartë se çfarë ndikimi dhe nëse do të kenë ndikim sanksionet në kompanitë e sanksionuara: BAE Systems Land and Armaments, Alliant Techsystems Operations, AeroVironment, Viasat dhe Data Link Solutions.

Sanksione të tilla shpesh janë simbolike, pasi në përgjithësi kompanitë amerikane të mbrojtjes nuk shesin produktet e tyre në Kinë.

Ministria e Jashtme tha se vendimet e SHBA-së kanë dëmtuar sovranitetin e Kinës dhe interesat kombëtare, kanë minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë Ngushticës së Tajvanit dhe kanë shkelur të drejtat dhe interesat e kompanive kineze dhe individëve.

“Qeveria kineze mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe integritetit territorial dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të kompanive kineze dhe qytetarëve”, u tha në njoftim.

SHIKONI EDHE:

Tajvani i kërkon Kinës “të ndalë veprimet e njëanshme shkatërruese”SHBA ndan 345 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen e TajvanitKina akuzon SHBA-në se po e shndërron Tajvanin “në fuçi baruti”

Sanksionet janë vendosur më pak se një java para se në Tajvan të mbahen zgjedhjet presidenciale, të cilat janë përqendruar se si Qeveria duhet të menaxhojë raportet me Kinën.

Ministria kineze nuk specifikoi se për cilën marrëveshje të armëve apo për cilat sanksione amerikane Pekini po kundërpërgjigjej. Megjithatë, zëdhënësi i kësaj ministre, Wang Webin, kishte paralajmëruar tri javë më parë se Kina do të ndërmerrte kundërmasa, pasi Qeveria amerikane miratoi një paketën të ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 300 milionë eurosh. Këtë vendim, Uashingtoni e kishte marrë në dhjetorin e vitit të kaluar.

Marrëveshja po ashtu përfshin pajisje, trajnim, pajisje për riparimin dhe mirëmbajtjen e aftësive komanduese të Tajvanit, të kontrollit dhe komunikimeve ushtarake.

SHBA-ja ka thënë se kjo marrëveshje për shitjen e armëve do të ndihmojë modernizimin e forcave të armatosura të Tajvanit dhe mbajtjes së kapaciteteve mbrojtëse.

Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile më 1949, por Pekini vazhdon të pretendojë se ishulli prej 23 milionë banorësh është territor kinez, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës që ta rimarrë atë.

SHBA-ja nuk e njeh pavarësinë e Tajvanit, por sipas legjislacionit është e detyruar të sigurohet që Tajvani ka aftësi për të mbrojtur veten.