Kina refuzon telefonatën nga SHBA, thotë se "atmosfera nuk është e përshtatshme"

Balona kineze mbi territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ministria e Mbrojtjes e Kinës thotë se ka refuzuar një telefonatë nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, pas rrëzimit të balonës së pretendruar spiune kineze, duke thënë se SHBA-të “nuk kanë krijuar atmosferë të duhur për dialog”.

Veprimi i SHBA-së “ka shkelur seriozisht normat ndërkombëtare dhe ka krijuar një precedent shkatërrues", u citua të ketë thënë zëdhënësi i ministrisë kineze Tan Kefei të enjten mbrëma.

“Duke pasur parasysh se kjo qasje e papërgjegjshme dhe seriozisht e gabuar nga SHBA-të nuk krijoi atmosferën e duhur për dialog dhe shkëmbime të informacioneve mes dy ushtrive, Kina nuk e pranoi propozimin e SHBA-së për një telefonatë mes dy ministrave të mbrojtjes”, tha Tan.

Kina, shtoi Tan, "rezervon të drejtën për të përdorur mjetet e nevojshme për t'u marrë me situata të ngjashme".

Shtetet e Bashkuara rrëzuan atë që Uashingtoni tha se ishte një balonë kineze e spiunazhit, por që Pekini tha se ishte një anije shkencore civile, që aksidentalisht kishte fluturuar jashtë drejtimit për shkak të motit.

SHIKONI EDHE: Çfarë dihet dhe çfarë jo për balonën kineze?

Pasi shprehu fillimisht “keqardhje” për incidentin, retorika e Kinës është ashpërsuar ditët e fundit pasi Byroja Federale e Hetimit (FBI) mblodhi mbeturinat nga vendi i rrëzimit në ujërat territoriale të SHBA-së në brigjet e Karolinës së Jugut dhe i dërgoi ato në laboratorin e FBI-së në Virxhinia për hetimi.

Pekini tha reagimi i SHBA-së ishe “i tepruar".

Ministria e Jashtme e ka cilësuar veprimin “të papërgjegjshëm” dhe i quan pretendimet e SHBA se po spiunonin “pjesë të luftës së informacionit të palës amerikane kundër Kinës”.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin kishte kërkuar të shtunën të diskutonte çështjen e balonës me homologun e tij kinez, Wei Fenghe, por kjo u refuzua nga Kina, njoftoi Pentagoni.

Në vazhdën e incidentit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, anuloi udhëtimin e planifikuar në Pekin këtë javë, vizitë që kishte dhënë shpresë që do të ndihmonte në stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët në dekada.