Kina do të ndalë përdorimin e qymyrit jashtë vendit, thotë presidenti Jinping

Presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Kina ka thënë se nuk do të ndërtojë më termocentrale të reja me qymyr jashtë vendit, si pjesë e një përpjekjeje për të ndihmuar botën të përmbushë objektivat e marrëveshjes së Parisit për klimën. Ky vend ka qenë nën presion për të ndalur financimin e termocentraleve me qymyr në vende tjera.

Premtimi u mor përsipër nga presidenti kinez, Xi Jinping gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 21 shtator.

Në fjalimin e tij, të cilin e kishte incizuar më herët, presidenti kinez nuk dha detaje të planeve kineze për të ndalur financimin e termocentraleve me qymyr.

“Kina do të rrisë mbështetjen për energjinë e gjelbër për vendet e tjera në zhvillim", tha presidenti kinez.

I dërguari i posaçëm amerikan për klimën, John Kerry, tha se premtimi kinez është një fillim i mirë.

SHIKONI EDHE: Më e keqja për klimën pritet të ndodhë, thotë OKB

Ai e ndërlidhi këtë edhe me përpjekjet e nevojshme për të arritur sukses në Konferencën e OKB -së për Ndryshimet Klimatike në Glasgou, Skoci, që do të mbahet në muajin nëntor.

"Ne kemi biseduar me Kinën për një periudhë të gjatë kohore për këtë çështje", tha Kerry përmes një deklarate.

Kina, emetuesi më i madh i gazrave serrë në botë, është ende shumë e varur nga qymyri për nevojat e saj të brendshme të energjisë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e mirëpriti premtimin e Xi për qymyrin dhe zotimin e presidentit amerikan, Joe Biden, të bërë më herët për të punuar me Kongresin Amerikan që deri në vitin 2024 të dyfishohen fondet për të ndihmuar vendet në zhvillim të merren me ndryshimet klimatike.

Propozimi kërkon miratimin nga Kongresi.

Ende nuk dihet se kur do të hyjë në fuqi vendimi kinez mirëpo kur të realizohet mund të mbyllë 47 termocentrale të planifikuara në 20 vende në zhvillim që përdorin qymyr, sipas grupit evropian të klimës E3G.

Kina ka qenë financuesi i vetëm i rëndësishëm i huaj i këtyre projekteve.

Disa ekspertë thonë se për çështjen e klimës do të ishte edhe më e rëndësishme që Kina të ndalojë ndërtimin e termocentraleve të reja të qymyrit brenda territorit të saj si dhe të mbyllte ato të vjetrat.