Kina ka thënë se kritikat ndaj saj për çështjen e Tajvanit, do të rezultojnë me pasoja të rrezikshme.
Ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, ka paralajmëruar të premten se Pekini është “forcë në rritje për paqe dhe drejtësi”.
Dy javë më parë, Kina ka nisur stërvitje treditore ushtarake rreth Tajvanit – duke simuluar sulme të shënjestruara dhe bllokadë të ishullit – si përgjigje ndaj një takimi që ka zhvilluar presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen, me udhëheqësin e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Kevin McCarthy.
“Së fundi, ka pasur retorikë absurde, me akuza ndaj Kinës për ndryshim të njëanshëm të status quo-së rreth Ngushticës së Tajvanit, përmes forcës së mashtrimit dhe prishjes së paqes dhe stabilitetit në atë rajon”, ka thënë Qin në një forum për modernizim të Kinës.
SHIKONI EDHE: Kronologjia e tensioneve Kinë-Tajvan“Pretendime të tilla janë kundër botëkuptimit bazik për marrëdhënie ndërkombëtare dhe drejtësi historike”, i ka thënë ai një audience në Shangai.
“Kjo logjikë është absurde dhe pasojat janë të rrezikshme”.
Kina e konsideron Tajvanin si territorin e saj dhe është zotuar se do ta kontrollojë këtë ishull një ditë, qoftë edhe përmes forcës.
“Çështja e Tajvanit është në thelb të interesave të Kinës”, ka vazhduar ai.
“Ne nuk do të zmbrapsemi kurrë ndaj çfarëdo akti që minon sovranitetin dhe sigurinë e Kinës. Ata që luajnë me zjarrin për Tajvanin, në fund do të digjen vetë”.
Raportet mes Kinës dhe Tajvanit
- Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur.
- Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
- Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.