Kina i mohoi raportet se në fillim të këtij viti ka testuar një raketë hipersonike duke thënë se gjithçka kishte të bënte me një kontroll rutinë të një anije hapësinore.
Ishte gazeta Financial Times që raportoi për këtë test duke thënë se Shtetet e Bashkuara ishin zënë në befasi nga ky veprim i Kinës. Raketat hipersonike janë shumë më të shpejta dhe më të shkathëta se ato normale, që do të thotë se janë më të vështira për t’u kapur.
Shqetësimet për rritjen e aftësive bërthamore të Kinës janë në rritje, raporton BBC.
Të hënën (18 tetor), zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha në një konferencë për media se testi rutinë ishte kryer për të verifikuar lloje të ndryshme të teknologjisë së anijeve hapësinore.
"Ajo ishte një anije kozmike dhe jo një raketë", tha ai.
Sipas tij, shumë vende tjera kanë kryer teste të ngjashme në të kaluarën.
Ai tha se raporti i Financial Times ishte i pasaktë.
Raporti i publikuar të shtunën citoi pesë burime anonime të cilët thanë se një raketë hipersonike ishte lëshuar nga ana e Kinës gjatë muajve të verës.
"Ky test dëshmoi përparimin e madh të Kinës në armët hipersonike dhe ishte shumë më i avancuar sesa mendonin zyrtarët amerikanë", thuhej në raport.
Një ligjvënës amerikan bëri thirrje për veprim nga ana e Shteteve të Bashkuara.
Mike Gallagher, një ligjëvënës republikan i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nëse Uashingtoni vazhdon të ndjekë qasjen aktuale, do të humbte një Luftë të Ftohtë të re me Kinën brenda një dekade.
SHIKONI EDHE: Eksperti amerikan për kibernetikë: Kina do të dominojë inteligjencën artificialeMarrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës janë të tensionuara.
Një numër i vendeve perëndimore gjithashtu kanë shprehur shqetësim për shfaqjet e fundit të fuqisë ushtarake nga ana e Kinës.
Përveç Kinës, SHBA-ja, Rusia dhe të paktën pesë vende të tjera po punojnë në teknologjinë e raketave hipersonike.
Ato mund të fluturojnë pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe, ashtu sikurse raketat balistike, mund të mbajnë një kokë bërthamore.
Muajin e kaluar, Koreja e Veriut tha se kishte testuar me sukses një raketë të re hipersonike. Dhe në korrik, Rusia bëri një njoftim të ngjashëm.