Kina e ka përshkruar luftën në Gazë si “turp për civilizimin” dhe ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, përderisa konflikti hyri në muajin e gjashtë pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësve për arritjen e një armëpushimi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që të pranojë një plan për armëpushim me Izraelin para nisjes së Muajit të Ramazanit.
Megjithatë, ndërmjetësit në Egjipt ende nuk kanë tejkaluar pengesat në përpjekjet e tyre për të negociuar një pauzë në luftime, ndërkaq Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se palestinezët e bllokuar nga luftimet po përballen me uri.
“Është tragjedi për njerëzimin dhe turp për civilizimin që sot, në shekullin 21, kjo krizë humanitare nuk po mund të ndalet”, tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, gjatë një konference për media në Pekin më 7 mars.
Kina, që historikisht ka përkrahur kauzën palestineze, ka bërë thirrje për armëpushim që kur nisi lufta më 7 tetor, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me urgjencë, ta bëjë prioritet një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi dhe ndaljen e armiqësive dhe të sigurohet që të ketë ndihmë humanitare si një përgjegjësi morale”, tha Wang.
SHIKONI EDHE: OBSH: Kequshqyerja e fëmijëve, posaçërisht ekstreme në veri të GazësLufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës dhe ka shkaktuar një krizë humanitare për 2.3 milionë banorët e këtij territori.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se 20 persona kanë vdekur nga kequshqyerja dhe dehidrimi, gjysma e të cilëve ishin fëmijë.
OKB-ja ka thënë se vetëm një sasi e kufizuar e ndihmës po arrin në veri të Gazës, ku ka paralajmëruar se uria ka arritur në “nivele katastrofale”.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë vranë afër 1.200 persona në jug të Izraelit dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Disa pengje u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor. Izraeli beson se 99 pengje janë ende gjallë në Gazë dhe 31 të tjerë kanë vdekur.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë mbi 30.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.