Kina do t’i japë fund karantinës për udhëtarët në janar

Peekin, fotografi nga arkivi.

Kina do të heqë masën e karantinës për udhëtarët nga 8 janari, thanë zyrtarët. Kjo paraqet një ndryshim të madh në politikën e shtetit kinez të zero-COVID.

Pas tre vjetësh të mbylljes së kufijve, ky vendim në mënyrë efektive rihap shtetin ndaj atyre që janë të pajisur me viza pune dhe viza studimore, apo që dëshirojnë të vizitojnë familjarët e tyre në Kinë.

Megjithatë, ky vendim vjen në kohën kur Kina po përballet me një shpërthim të ri të virusit, pas lehtësimit të masave.

Raportohet se spitalet janë të stërngarkuara dhe personat më të moshuar po vdesin.

Numri i saktë i infektimeve ditore dhe vdekje aktualisht nuk dihen, pasi autoritetet kanë ndaluar së publikuari të dhëna për koronavirusin.

SHIKONI EDHE: Numri i të vdekurve nga COVID-19 në Pekin po rritet

Javën e kaluar, për çdo ditë në Kinë janë raportuar rreth 4.000 infektime dhe disa vdekje.

Të dielën, autoritetet njoftuan se nuk do të publikonin të dhëna për sëmundjen COVID-19. Por, sipas të dhënave të kompanisë shëndetësore britanike, Airfinity, vlerësohet se Kina po regjistron mbi 1 milion infektime dhe 5.000 viktima në ditë, ka raportuar Reuters.

Kina është ekonomia e fundit e madhe në botë që ka lehtësuar masat, pas tre vjetësh të izolimit dhe masave të ashpra që përfshinin mbylljen e kufijve, karantinimin e detyrueshëm për të infektuarit dhe personat e kontaktit.

Politika e ashtuquajtur zero-COVID goditi ekonominë kineze dhe vendosi kufizime të ashpra ndaj qytetarëve.

Lehtësimi i disa masave kundër COVID-19 erdhi pas protestave në nëntor kundër presidentit Xi Jinpgin.

SHIKONI EDHE: Kina ndryshon politikën e raportimit të rasteve me koronavirus

Por, mbyllja e kufijve ishte masa e fundit e ashpër në Kinë. Që nga marsi i vitit 2020, kushdo që ka hyrë në Kinë është futur në karantinim të detyrueshëm deri në tre javë. Por, periudha e karantinimit më pas u zvogëlua në pesë ditë.

Komisioni Kombëtar Shëndetësor tha se COVID-19 do të klasifikohet në Kategorinë B të sëmundjeve infektive më 8 janar.

Kjo nënkupton se masa e karantinës do të hiqet, edhe pse udhëtarët që shkojnë në Kinë do të duhet të kryejnë një test PCR. Po ashtu, sipas vendimit të ri, shteti do të heqë kufizimin se sa fluturime brenda dite mund të realizohen.

Autoritetet po ashtu thanë se janë “optimistë” se përmes marrëveshjeve për viza, të huajt mund të shkojnë në Kinë për punë apo studime, por edhe për të vizituar familjarët e tyre.

Është e paqartë nëse këtu përfshihen edhe vizat turistike, por autoritetet thanë se pilot-programi do të nisë me të huajt që udhëtojnë përmes anijeve ndërkombëtare.

Vendimi po ashtu lejon kinezët të udhëtojnë sërish jashtë vendit.

Rastet e para me sëmundjen COVID-19 fillimisht ishin regjistruar në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019. Kjo sëmundje ngjitëse u përhap shpejt nëpër botë dhe sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në mbarë botën janë regjistruar mbi 600 milionë infektime dhe mbi 6.6 milionë viktima.