Kina ka përsëritur kundërshtimet e veta ndaj lidhjeve ushtarake në mes të Uashingtonit dhe Tajvanit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-Wen, ka konfirmuar se një numër i vogël i trupave amerikane janë prezente në ishull.
Kina Komuniste, e cila e konsideron Tajvanin si territor të saj, dhe është zotuar për ta përfshirë atë nën regjimin e Pekinit - qoftë edhe përmes forcës - ka rritur presionin ushtarak në këtë ishull, duke përfshirë edhe lëvizjet e aeroplanëve ushtarakë kinezë në zonën ajrore të mbrojtur të Tajvanit.
Tsai ka thënë në një intervistë për kanalin televiziv amerikan CNN, se në Tajvan gjendet një numër i vogël i trupave amerikane, që ndihmojnë me trajnim.
Ajo ka thënë se beson që ushtria amerikane do të mbronte këtë ishull në rast të sulmit nga Kina.
SHIKONI EDHE: Arsyet e rritjes së tensioneve midis Kinës dhe TajvanitKomentet e saj kanë qenë të parat që ka bërë ndonjëherë ndonjë president tajvanez prej vitit 1979, kur është larguar kontigjenti i fundit amerikan nga Tajvani.
“Ne kemi bashkëpunim me SHBA-në me qëllim të rritjes së kapaciteteve tona për mbrojtje”, ka thënë Tsai për CNN.
E pyetur se sa zyrtarë ushtarakë amerikanë gjenden në Tajvan, ajo ka thënë se “nuk janë aq shumë sa mendojnë njerëzit”.
Komentet e saj kanë nxitur reagime në Kinë.
“Ne e kundërshtojmë çfarëdo forme të këmbimeve zyrtare apo ushtarake në mes të SHBA-së dhe Tajvanit, kundërshtojmë ndërhyrjen amerikane në punët e brendshme të Kinës dhe tentimet për të provokuar tensione”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.
“Politika ‘Një Kinë’ është themeli i marrëdhënieve politike Kinë-SHBA”, ka shtuar Wang.