Kina ka tërhequr kufizimet e saj të ashpra kundër koronavirusit, përfshirë rregullin që detyronte njerëzit të karantinoheshin, një javë pasi nisën protestat në të gjithë vendin.
Njerëzit e infektuar me virus, të cilët nuk kanë simptoma ose kanë simptoma të lehta, tani mund të izolohen në shtëpi dhe jo siç ishte më herët që ata të mbaheshin në objekte karantinimi.
Qytetarët kinezë në shumicën e hapësirave nuk kanë më nevojë të tregojnë testet që nuk janë të infektuar, megjithëse mbetet në fuqi masa se duhet testi PCR për hyrje në shkolla dhe spitale.
Qytetarët janë shprehur të lehtësuar, por edhe të shqetësuar për ndryshimet e papritura. Por, shumica e tyre u gëzuan pas heqjes së këtyre kufizimeve pas gati tre vjetëve.
Lehtësimi i masave tregon se Kina më në fund po largohet nga politika e saj zero-COVID dhe po kërkon të "jetojë me virusin", njësoj si pjesa tjetër e botës.
Kina ishte ekonomia e vetme e madhe në botë që zbatonte politikën zero-COVID.
SHIKONI EDHE: Përleshje të reja në Kinë, pavarësisht paralajmërimeve për shtypje të protestaveDerisa më herët ishte e zakonshme të mbylleshin komplekset banesore ose lagjet brenda qyteteve, tani duhet identifikim i qartë për mbylljen e vetëm kateve të banesave ose ndonjë blloku.
Nëse më herët njerëzit që vizitonin zonat që konsiderohen "me rrezik të lartë" në Kinë, kishin për obligim karantinimin për të paktën shtatë ditë në shtëpi, me lehtësimin e masave ky obligim nuk vlen.
Shkollat nuk do të mbyllen gjithashtu, nëse nuk ka shpërthim të gjerë të virusit në gjithë kampusin.
SHIKONI EDHE: Pse janë kaq të rrepta rregullat e Kinës për koronavirus?Pas gati tre vjetësh të kufizimeve të ashpra ndaj COVID-19, lideri kinez, Xi Jinping, u përball me një nga sfidat më të mëdha, pasi dhjetëra mijëra persona dolën në rrugë për të protestuar kundër kontrolleve të pakompromis ndaj politikës kufizuese të Kinës “zero COVID”, të urdhëruar nga Partia Komuniste në pushtet.
Kjo politikë kishte lënë miliona persona të mbyllur në shtëpitë e tyre, kishte dërguar njerëzit në qendra të karantinimit dhe i kishte ndaluar që të udhëtojnë, teksa banorët detyroheshin t’iu nënshtroheshin testimeve të pa fund, izolimeve dhe vëzhgimit.
Protestat kundër kufizimeve ndaj koronavirusit, ishin më të mëdhatë në territorin e Kinës që nga protestat e pro-demokracisë më 1989, që u përhapën në mbarë vendin dhe përfunduan me shtypje të përgjakshme dhe masakër rreth sheshit Tiananmen të Pekinit.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.